Askush s’më pa
dhe s’e ndjeu zhurmën
e këmbëve te mia
kur hyra në shtëpinë
e kadifenjte
të një vjollce.
As ajo vetë
s’do më kish dalluar
por unë doja
me sytë e saj
të shihja qiellin.
Dhe mrekullia ngjau
një re atë çast po lozte
një nokturn nga Chopin
kompozitori i mbrëmjeve të mia
këmbenin zëra tastierat me mua
dhe në çast i harrova
mungesat e ditës
I harrova
kanatjerën e verës
këmishën e mbrëmjes
pantallonat e mëngjesit
dhe këpucët e zeza…
Eh, kush po pyeste më
për këpucët
ato le t’i numërojnë
hapat e munguar të udhëve
e fustanet në gardërobë
le të dehen me mbetjet
e parfumit tim të shkuar
Adresat e yjeve po ndrinin
dhe unë isha kthyer në balerinë
vallëzoja me ty
një tango hëne
që të derdhet në mish
dhe bën të harrosh
gjithë vetminë…