Të lashë Atdheu im, të lashë,
Nuk di kush nga ne mbeti jetim,
Ty mishi në mijëra copa t’u nda,
Dhe mua shpirti në harrim.
Ajvoni m’u duk si një dragon gjigand,
Dhe një ndrojë brënda meje që s’dukej,
Nuk di pse i kisha frikë ato krahë,
Nuk di pse zemra më ngutej.
Valixhen tërhiqja zvarrë aeroportit,
E në tru përsërisja një anglishte të çalë,
Ca fjalë që s’kishin lidhje me ç’më duhej,
Veç mirë dija, fjalën më fal.
Tabelat më dukeshin të gjitha njësoj,
Sepse asnjërën se merrja dot vesh,
Si majmuni ndiqja turmën nga pas,
Me shpresë një shqiptarë do të ndesh.
Tek më mori uria mbaj mënd,
Pak kulaç nga nëna gatuar,
Nxora të ha disi ashtu fshehur,
Me lot dhe me zemër thërmuar.
Ku ta dija unë biri yt, Atdhe,
Që ndarja dhimbte aq shumë,
Ku ta dija do të qaja si fëmijë,
Për ty dhe në gjumë.
Ca plagë për shënjë i kam në shpirt,
Kur u nisa drejt për një botë të re,
Tani më rëndon malli sa malet,
Ku ta dija unë biri yt, Atdhe.