Im bir iku, iku përsëri
Gjithë natën i hekurosa bluzat, këmishat, çorapet.
Në shtëpi një hije e akullt rri
Nga njëri-tjetri i fshehim ankth-et.
Kur iku nuk mi hodhi sytë.
Më tha nën zë “Nuk do rri gjatë, nënë.”
Një heshtje e hidhur këtu në fyt
Mu mblodh e mu bë ngërç.
Im bir është yt bir, yt bir është im bir
që niset me shpresë të re drejt jetës.
Ndërsa prindërit ngrejnë mijëra dyshime
ndaj ëndrrës dhe së vërtetës.
Veç zëri i televizorit jep lajmet
për fitoret e zakonshme politike,
daljen nga burgu të ministrit të mbrojtjes
e rrogat që do të kenë rritje.
Përballë pallatit një plakë ujit lulet
në një ballkon të gjatë e të gjerë.
Me një dashuri që s’mund si përshkruhet
edhe i pastron, edhe i përkëdhel.
Nga kati i parë vijnë zëra fëmijësh
që lart zëri I një pianoje dëgjohet
në qiell ca re të bardha kanë ngrirë
as vijnë dhe as largohen.
I ndera rrobat e tij një nga një,
pastaj nuk di pse mu bë rrëmujë.
Nga gryka s’del më as frymë, as zë
E ndihem një nënë statujë!