Sunday, June 22, 2025
BallinaVitrina e libritEGOIZMI DHE HIPOKRIZIA: MASKAT E SHOQËRISË BASHKËKOHORE NGA: ANGELA KOSTA ...

EGOIZMI DHE HIPOKRIZIA: MASKAT E SHOQËRISË BASHKËKOHORE NGA: ANGELA KOSTA PJESA -I-

Egoizmi dhe hipokrizia janë dy burime helmesh të heshtura të shpirtit bashkëkohor, dy vëllezër binjakë që maskohen me veshje të ndryshme, por që në thelb ndajnë të njëjtën uri: urinë ndaj vetvetes. Në një epokë që shpall individualizmin si liri dhe shtirjen si diplomaci, këto dy prani janë aktive të patrazuara, rriten, shumohen, e marrin rrënjë edhe në terrenet më të paparashikueshme: miqësia, familjja, komunitetet, mjediset intelektuale, fetare, artistike dhe letrare.

Ndryshe nga ç’mendohet zakonisht, egoizmi nuk është thjesht dashuri për veten, por paaftësia për të parë cilësitë e tjetrit. Është një formë verbërie selektive, një sëmundje e ndjeshmërisë. Egoisti nuk është vetëm ai që do gjithçka për vete, por edhe ai që injoron qëllimisht botën përtej horizontit të tij të interesit.
Është një artist i manipulimit emocional, sepse di të fshehë egocentrizmin e vet pas fjalëve fisnike: “po mendoj për mirëqenien time”, “askush nuk do ta bëjë për mua”, “së pari unë, pastaj të tjerët”. Megjithatë, egoizmi nuk është dashuri për veten, por frikë. Frikë nga të qenit i pambrojtur, nga ndarja, nga dalja jashtë zonës së kontrollit. Egoisti ndërton mure dhe i quan kufij, ngre frone në shkretëtira dhe e beson veten mbret, por në fund nuk flet me askënd, as me vetveten.
Hipokrizia, përkundrazi, është teatri i shpirtit. Nuk është gënjeshtra, por veshja e një të vërtete që nuk na përket. Hipokriti nuk thotë domosdoshmërisht të pavërtetën, por thotë atë që është e përshtatshme. Ai di t’i përdorë fjalët si pasqyra që shtrembërojnë realitetin, duke reflektuar atë që të tjerët duan të shohin. Është mjeshtër i një koherence që duket, por që në të vërtetë nuk është. Hipokrizia është aq e hollë, sa shpesh jemi viktima dhe fajtorë njëkohësisht. Shoqëria shpërblen buzëqeshjen e rreme, frazën e duhur në momentin e duhur, pamjen e rregullt më shumë sesa thellësinë e brendshme. Ai që është transparent, shpesh shihet si i papërshtatshëm. Hipokrizia nuk ka më nevojë të fshihet: sot është protokoll, strategji, etikë shoqërore. Hipokriti modern nuk ka vetëm dy fytyra: ka shumë, si maska që i ndërron sipas rastit. Talent i tij është përshtatshmëria, por pa rrënjë; brishtësia e tij është mungesa e të vërtetës. Megjithatë, gjëja më shqetësuese është se egoizmi dhe hipokrizia nuk janë gjithmonë të dukshme. Mund të vishen me petkun e bamirësit, të mikut besnik, të prindit mbrojtës, të aktivistit. Mund të flasin gjuhën e mirësisë, pa e dëgjuar kurrë në të vërtetë. Mund të shtiren si altruist: të bëjnë diçka për të tjerët, por vetëm nëse kjo u vlen për vete. Mund të shtiren si të ndjeshmëm: të thonë “të kuptoj” vetëm për të fituar aprovimin nga ju. Pra, në një farë kuptimi, janë një shpirt i korruptuar: duken sikur ngrihen lart, por në të vërtetë synojnë vetëm të mbijetojnë në refleksin vetjak.

Dramatike është se këto dy realitete shpesh bashkëjetojnë në mënyrë të përsosur: egoisti hipokrit është figura më e përhapur e kohëve tona. Jo vetëm që do gjithçka për vete, por edhe pret të lavdërohet për bujarinë e tij të rreme. Vepron për veten dhe luan për të tjerët. Nuk është një përbindësh, as mizor: është thjesht thellësisht bosh. Dhe është pikërisht kjo zbrazëti që ushqen nevojën për fasada, për të maskuar dëshirën për pushtet pas dukjes së një sakrifice gigante. Por a ekziston një kurë për të gjitha këto? Ndoshta…
Por kjo kurë nuk do të vijnë nga morali dhe as nga rregullat. Do të vijë nga një revolucion i heshtur i shpirtit: guximi për të qenë i sinqertë. Jo të përkryer, jo gjithmonë altruistë, por autentikë. Antidoti ndaj egoizmit nuk është zhdukja e vetvetes, por ndërgjegjja për tjetrin. Antidoti ndaj hipokrizisë nuk është brutaliteti, por transparenca e brendshme. Të ndalojmë së vepruari për t’u parë, dhe të fillojmë të veprojmë për të qenë të vërtetë. Të pranojmë të zhgënjejmë, të keqkuptohemi, por t’i mbetemi besnikë asaj që jemi.

Në fund, egoizmi dhe hipokrizia nuk janë gjë tjetër veçse dy përpjekje të dështuara për t’i shpëtuar brishtësisë. Dhe ndoshta, vetëm duke e pranuar këtë brishtësi, mund të fillojmë vërtet të jetojmë. Të pranosh brishtësinë nuk do të thotë të lavdërosh dobësinë, por të njohësh se jemi krijesa të zhytura në kërkim të një kuptimi e jo maska të përsosura për t’u shfaqur. Në një botë që na mëson të garojmë, të spikasim, të fshehim çdo plasaritje, ai që zgjedh transparencën bëhet revolucionar. E megjithatë, vetëm duke njohur plasaritjet tona, drita mund të depërtojë, siç shkruante Leonard Cohen.

Ai që refuzon egoizmin nuk bëhet domosdoshmërisht martir, ashtu siç ai që heq dorë nga hipokrizia nuk bëhet medoemos i përjashtuar. nga shoqēria. Janë zgjedhje të ngadalta, të përditshme, të përbëra nga gjeste të heshtura: të dëgjosh në vend që të reagosh, të dhurosh pa pritur duartrokitje, të mbetesh koherent edhe kur askush nuk sheh. Nuk bëhet fjalë për të arritur ndonjë pastërti ideale, por për të ecur drejt një qendre më autentike.

Në thelb, egoizmi lind nga një plagë besimi: bindja se nëse nuk kujdesemi për veten, askush tjetër nuk do ta bëjë. Hipokrizia lind nga frika e refuzimit: ankthi se, nëse tregojmë çfarë jemi vërtet, do të përjashtohemi nga rrethi i të tjerëve. Por të jetosh sipas këtyre logjikave do të thotë të pranosh një vetmi të strukturuar, një distancë të përhershme midis vetes dhe botës.

Shoqëria nuk mund të ndryshojë derisa egoizmi të konsiderohet si inteligjencë dhe hipokrizia si diplomaci. Ajo do të ndryshojë vetëm kur të vlerësohet ai që zgjedh të vërtetën edhe me çmimin e rraskapitjes, heshtjes dhe moskuptimit. Ajo që nevojitet nuk është vetëm arsim, por një riedukim emocional dhe shpirtëror: t’u mësojmë fëmijëve që vlera nuk qëndron në atë që shfaqim, por në atë që jemi.

Në këtë ese, ashtu sikurse çdokush, nuk ofron zgjidhje të shpejta, sepse ato nuk ekzistojnë. Por sugjeron një rrugë të mundshme: atë të autenticitetit si rezistencë. Nuk është një modë, as një hashtag, por një zgjedhje e ngadaltë dhe shpesh e vetmuar. Por është gjithashtu e vetmja që mund të ndërtojë lidhje të vërteta, fjalë që shërojnë, komunitete që pranojnë. Në një botë të uritur për krenari, e vërteta do të jetë gjesti më i rrallë dhe më i çmuar.

Sokrati thoshte: “Njih veteten,” një frazë kaq e thjeshtë sa edhe destabilizuese. Në epokën e egoizmit të qartë dhe hipokrizisë strategjike, të njihesh vërtet me vetveten do të thotë të zbulosh oportunizmin tënd, të përballesh me ankthet e tua, të pranosh sa shpesh kërkojmë duartrokitje më shumë se e vërteta. Të njohësh vetveten do të thotë edhe të njohësh momentet kur zgjedhim heshtjen komode në vend të guximit për të folur.

Platoni, nxënësi i tij, paralajmëronte: “Çmimi që paguajnë njerëzit e mirë për indiferencën ndaj çështjeve publike është të sundohen nga njerëz më të këqij”. Në fakt egoizmi modern shfaqet edhe në indiferencë: ata që tërhiqen në botën e tyre të vogël private, ata që bëjnë sikur nuk shohin vetëm për të ruajtur paqen e brendshme, pa dashje ndihmojnë në përhapjen e hipokrizisë sociale. Heshtja e të drejtëve është shpesh më e rrezikshme se zhurma e hipokritëve.

Aristoteli na kujton se “Njeriu është natyrshëm një qenie politike”, dhe prandaj nuk mund të shmangë të tjerët pa tradhtuar veten. Egoisti izolon veten, e ndan nga natyra e tij dialoguese. Hipokriti, nga ana tjetër, luan një marrëdhënie, bën sikur është afër, por kultivon distancë. Të dy, në mënyra të ndryshme, mohojnë thelbin e qenies njerëzore që është marrëdhënia, kujdesi, përballja.

Epikteti sugjeronte: “Nuk janë gjërat që na trondisin, por gjykimi që bëjmë për to.”
Hipokriti, duke patur frikë nga gjykimi i të tjerëve, fshihet pas maskave të reja, ndërsa egoisti ndërton mure kundër gjithçkaje që mund ta sfidojë. Të dy jetojnë në frikë: nga refuzimi, nga përballja, nga autenticiteti. Filozofë si ai na nxisin ta shkýçim atë gjykim, jo ta manipulojmë.

Me stoicizmin e tij, Seneka na la një paralajmërim: “Jetojmë sikur do të jetojmë përjetë, ndërsa çdo ditë është e fundit.”
Egoizmi harron fundin, hipokrizia mohon urgjencën. Kush zgjedh të vërtetën, jeton kohën me vetëdije dhe respekt, sepse e di se çdo veprim është i papërsëritshëm dhe çdo marrëdhënie e çmuar. Të gjithë këta mendimtarë na çojnë në një përfundim të përbashkët: të jesh autentik është i vështirë, por është rruga e vetme drejt një jete që nuk është thjesht mbijetesë. Rezistimi ndaj egoizmit dhe hipokrizisë nuk është heroizëm, është thjesht detyra më e lartë e njeriut. Me bindje mund të themi se egoizmi dhe hipokrizia nuk janë vetëm defekte morale: janë forma deformimi të identitetit. Ai që jeton për vete dhe gënjen të tjerët, në të vërtetë është në luftë me ndërgjegjen e tij. Ndërgjegjja, sa herë që mbytet, gjithmonë gjen mënyrën të bëhet e dëgjuar, ndonjëherë në heshtje, ndonjëherë në rrëmujë, ndonjëherë në atë pakënaqësi të zbehtë që shoqëron edhe sukseset më të dukshme.

Ne jemi mësuar ta konsiderojmë egoizmin si instinkt mbijetesë dhe hipokrizinë si strategji shoqërore, por të dyja janë dështime të pjekurisë së brendshme. Mbrojtja e vërtetë sot është të jesh autentik në një botë që shpërblen maskën. Veprimi i vërtetë revolucionar është të thuash të vërtetën edhe kur nuk të leverdis, të ndihmosh edhe kur askush nuk sheh, të heqësh dorë nga ajo që na bëhet e rehatshme nëse dëmton dikë tjetër.

Sokrati zgjodhi vdekjen sesa të tradhtonte të vërtetën. Sot nuk na kërkohet të vdesim, por na kërkohet çdo ditë të zgjedhim: të jetojmë si hije që luajnë role apo si njerëz që vihen në lojë, edhe duke rrezikuar. Sepse shpirti shpëtohet jo me gënjeshtra apo suksese personale, por me pastërtinë e shikimit drejt të tjerëve.

Në një kohë kur të gjithë vrapojnë për t’u shquar, filozofi i vërtetë, poeti i vërtetë, njeriu i vërtetë ndalon, sheh dhe dëgjon. Dhe zgjedh të jetë urë, jo barrierë. Zë, jo jehonë. E vërtetë, jo përshtatje. Dhe në këtë akt të thjeshtë qëndron i gjithë dinjiteti i qenies njerëzore.

Si dy fenomene thellësisht të rrënjosura në shoqërinë bashkëkohore, egoizmi dhe hipokrizia
ndikojnë jo vetëm në dinamikat kolektive, por edhe në jetën e brendshme të individëve.
Këto dy qëndrime, megjithëse qartësisht të ndryshën, ndajnë një faktor të përbashkët: mungesën e autenticitetit dhe vështirësinë për të krijuar marrëdhënie të sinqerta dhe të thella.

Egoizmi, i kuptuar jo si dashuria e shëndetshme për veten, por si mbyllje narcisiste ndaj tjetrit, është analizuar shpesh nga filozofë si Thomas Hobbes, i cili në vizionin e tij pesimist për natyrën njerëzore e sheh njeriun si të shkundur kryesisht nga interesi personal. Ky orientim i ekzagjeruar drejt vetvetes prodhon një shoqëri të fragmentuar, ku bashkëpunimi sakrifikohet përballë konkurrencës së egër dhe grumbullimit individual. Egoizmi çon në izolim, paaftësi për të kuptuar dhe pranuar tjetrin në diversitetin e tij, duke krijuar një ndjenjë të thellë vetmie dhe alienimi.

Hipokrizia gjithashtu, është përshkruar mjeshtërisht nga autorë si Jean-Jacques Rousseau, i cili e konsideronte atë një të keqe shoqërore, fryt i presioneve shoqërore dhe nevojës për t’u përshtatur me norma shpesh të padrejta. Hipokrizi nuk është thjesht ai që gënjen, por ai që vesh një maskë për të fshehur qëllimet ose ndjenjat e vërteta, shpesh për arsye përfitimi ose frike nga gjykimi. Ky maskim dobëson besimin reciprok dhe krijon mosbesim, një helm i ngadaltë që shkatërron marrëdhëniet njerëzore më të thella dhe autentike.

Efektet e egoizmit dhe hipokrizisë tek individët janë të shumta dhe të dhimbshme. Së pari, ato ushqejnë një rreth vicioz pakënaqësie dhe të pashpresë. Egoisti, megjithëse beson se ndjek lumturinë e tij, shpesh ndodhet i burgosur në një çark dëshirash të zijosura, të pangopura dhe vetmie emocionale. Nga ana tjetër, hipokriti, jeton gjithmonë me frikën për t’u zbuluar, në një konflikt të brendshëm që dëmton integritetin psikologjik.

Autorë si Friedrich Nietzsche kanë theksuar se sinqeriteti ndaj vetvetes është një akt guximi dhe force, që mund të çlirojë individin nga këto zinxhirë të brendshëm. Vetëm duke njohur dhe pranuar dobësitë tona mund të shpëtojmë nga kurthi i egoizmit dhe hipokrizisë, duke u hapur ndaj marrëdhënieve më autentike dhe jetës më të plotë. Përsa i përket nivelit shoqëror, egoizmi favorizon fragmentimin, individualizmin ekstrem dhe humbjen e ndjenjës së komunitetit. Hipokrizia, duke ushqyer gënjeshtra dhe simulime, pengon dialogun dhe ndërtimin e një trupi shoqëror bazuar në besim dhe bashkëpunim. Të dy kontribuojnë në krizën e institucioneve dhe marrëdhënieve shoqërore, duke e bërë të vështirë ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe solidare.

Këto dy fenomene, nuk janë vetëm mangësi morale, por pengesa reale për mirëqenien individuale dhe kolektive. Vetëm përmes një rrugëtimi kundrejt vetëdijes dhe autenticitetit, siç kanë sugjeruar filozofë të lashtë dhe modernë, mund të shpresojmë për një shoqëri më humane dhe civilizuese, e aftë të vlerësojë marrëdhënien, transparencën dhe respektin reciprok.
Në shoqërinë e sotme, një nga format më të fshehta të shkreta njerëzore, është mungesa e mirënjohjes. Jetojmë në një kohë ku shumëkush e quan obligim përkushtimin e të tjerëve ndaj tij, dashurinë që i jepet, sakrificat që bëhen në heshtje. Ekziston një kategori gjithnjë e më e përhapur individësh që nuk falënderojnë, nuk njohin, nuk shohin: sillen sikur gjithçka t’u përkasë me të drejtë. Ky mendim, i rrënjosur në egoizëm dhe i ushqyer nga hipokrizia, është një pasqyrë e varfërimit shpirtëror të kohës sonë.
Duke iu rikthyer filozofit gjerman Friedrich Nietzsche, kujtojmë fjalët e tij për njeriun e mbushur me mllef, atë që, i paaftë të krijojë vlera nga vetja, jeton me pretendime dhe mëri. Pikërisht kjo figurë i përngjan atij që nuk njeh mirënjohje: atij që pretendon pa u pyetur kurrë për çmimin njerëzore të asaj që merr. Jeton me bindjen se çdo gjest i mirë i takon me të drejtë. Në të vërtetë, është viktimë e narcisizmit strukturor, pjellë e një kulture që ka ngatërruar vetëvlerësimin me vetë-mjaftueshmërinë, të drejtën me privilegjin, lirinë me egocentrizmin.
Edhe pas mungesës së mirënjohjes fshihet një miopi e thellë emocionale dhe morale, por për këtë do flasim në vijimin e ardhshëm…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT