Muzës i pëlqen hija e gijotinës,
fjalët i flijon në altarë heshtjeje.
Dhimbja, si gjaku i lashtë i Perandorisë,
rrjedh në gjenet e hidhura të kohës.
Kitarat qajnë me telat e shenjtë,
shërojnë shpirtërat që bien në skaje.
Reflektimet janë pasqyrat e thyer të vetëdijes,
ato qeshin me plagët që fshehim nën lëkurë.
Me lugë zilie ushqehemi çdo mëngjes,
mbi tryezat ku buka është kujtim.
Koshat e televizorëve mbajnë erën
e gënjeshtrave të kalbura ,
një parfum që drobit mendjen.
Varfëria kërcet dhëmbët e ulërin si ujku drejt hënës,
dhe këmbët tona kalben
mbi fytyrën e zezë të asfaltit,
tokë pa mëshirë për të rënët.
Lypsarët e urisë janë profetët e errësirës,
e Vdekja , jo si armike, por si dëshmitare,
viziton shtëpitë ku paqja rri e varur në mur
si një ikonë e shuar.