Në vendin tonë, po mban mot i nxehte dhe kryesisht me diell kurse gjatë kësaj jave sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat në disa qytete të Kosovës do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius. Kurse Instituti i Shëndetësisë Publike ka apeluar tek qytetarët e sidomos të moshuarit që t`i shmangen ekspozimit në diell nga ora 10 deri në orën 17.
Alarmi për temperatura të larta këtë javë në vendin tonë ka bërë që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të apelojë te qytetarët që të kenë kujdes në ditët e nxehta. Kjo vlen sidomos për personat me të ndjeshëm që janë fëmijët dhe të moshuarit si dhe për personat me sëmundje kardiovaskulare dhe kategoritë e tjera. Kështu është shprehur për Radio Kosovën, zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Era Pireva, e cila tha se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut e sidomos te të moshuarit.
“Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10 deri 17 pasdite. Sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji. Po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, tha Pireva për Radio Kosovën.
Ajo tutje ka thënë se përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial si dhe në rast se del jashtë shtëpisë të moshuarit duhet të kenë detyrimisht me vete të dhënat personale.
“Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt”, shtoi Era Pireva.
Ajo më tej ka thënë se është i domosdoshëm edhe aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarve e sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje si dhe qëndrimi sa më i gjatë në natyrë park, shëtitore etj.
