Letra e një nëne
Nëse
do të të vijnë mijëra njerëz para teje, në rresht.
të stërbetohen se të duan më shumë se dielli i florinjtë.
Dije, bir, e para ndër të parët, unë do të jem.
Në sy do të më shohësh netët që mbi ty kam gdhirë.
Nëse do të jesh vetëm në shtigje të egra, të thikta,
që do ta duan shumë më të fortë trokitjen e hapit.
Aty do të jem unë, bir, dhe pse e lodhur e me thinja.
Me dashurinë engjëllore që ia kalon majës së malit.
Aty do më shohësh rrudhat në pëllëmbën e dorës.
Në dritare zemre do të të ulen si zogj urimet e mia.
Nëse një çast do të të verbojnë dritat e botës,
Merr sytë e mi e eja në prehër të të rritet fuqia!
Kur
nuk do të shohësh asnjë në errësirë apo shtigjeve të thikta,
E
do të të bjerë në trup e fytyrë lavë vullkani
Atëherë,
dije bir, mua do të më ketë marrë vdekja.
Me ca krahë të zinj, me një krua të patharë malli.
Bëj ç’të duash në dheun, me bistakun e trëndafilit!
Qaj ose dhe hesht, bir, i verbër a memec shekullor!
Kujto këtë letër e thuaja një biri a nipi!
Më tepër se një testament me vulë të thatë a me bojë!
Lexoje shumë herë këtë letër, or bir!
Mbase dhe ti moj bijë!
Se kështu
dhe bota do të bëhet më e mirë!
