Sunday, December 22, 2024
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poeten Nasia Xhemalaj

Çaste poetike me poeten Nasia Xhemalaj

ORA E LLOGARISË.

Në k’të botë të marrë, si ortek ligësia,

ka mbjell gjëmba e hithra çdo ditë,

fushparajsa na çfaqet veç në ëndrra,

tokën e shpirtin mbuluan të liqtë…

Ktheja pak shpirtin rrezes së dritës,

merr pak dritë, siç di ti rrëmbesh,

ngjizi zemrës një fije mirësie,

nëse hunda e madhe do të lejë.

Se koha shkon shpejt, sot ti nesër unë,

rebelimit, zemëratës si ngre dot barrikada,

dhe kur shpërthen me vrull e furtunë,

të shkund nga themelet me vilat e bardha.

Ndaj shih mirë, përtej hundës sate,

atë që në kolibe fle dhe pa shtroje,

mallkimi i Zotit të pret dhe krahët,

që i pate ndër vite të gjata, kosore.

Shpejt ligësinë, vjen koha shoshitë,

krimb mbi sitë do mbetesh, ta dish,

bëj hesap mirë, gjej vrimë ku të futesh,

se vjen për të gjithë ora e llogarisë.

 …………………………………………….

MOS HESHT KUR DUHET FOLUR.

Heshtja si shtrat i zi, që s’ndrron ngjyrë,

me çarçaf të zinjë sterr, pambuku a mëndafsh,

dhomë e errët pa dritë, pa dritare,

ku tavanit sillen minj,

e cepave, dhelpra hileqare.

Në derë një gogol,

ta pret gjuhën fare.

Mos hesht kur duhet folur,

godit me grusht dhe një send të pagojë,

një tingull do t’lëshoj dhe ai nga dhimbja

Ti hesht?! Si s’mundesh me fol?!

Mos hesht kur duhet folur,

asaj dhome të errët mos shko kurrë,

dhe rruga në hall në qoftë se të bie,

një shkrepëse, një shkrepje dhe zjarrin vuri.

…………………………………………………………………….

KUJTIME FËMINORE.

……………………………

Ca pellgje me ujë, përpara oborrit,

shirat e para të vjeshtës i mbushën,

luaja pllaq e plluq në to, me gjethet e tetorit,

me flokët e gjatë ngatërruar gushës.

Pas pak ylberi qëndiste qiellin,

e ndiqja magjinë e shkëlqimit vezullues,

i lutesha të më mirrte mbi shpinën e tij,

të shëtisja si ai nga çdo anë rrezulluese.

Në krah të shtëpisë, zverdhej rrugë e gjatë,

plepat era shkundëte, ngjasonin si lejlek,

me sy peneli i shpirtit tim fluturak,

vizaton pejsazhin e vjeshtës në mend.

Nga dritarja që binte nga perëndimi vështroja,

detin e tejanë me kalanë në breg,

shpirtin tim me erën bashkoja,

ku ullinjtë tundnin krahët, ku tund krahët një pjeshkë.

Shirat e para të tetorit nisën sërish,

ato pellgje si dikur janë mbushur me ujë plotë,

ah, sikur të kisha dy krahë

dallëndysheje,

të shkoja të luaja pllaq e plluq dhe sot…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT