Saturday, October 19, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Rizah Reshani

Cikël poetik me poetin Rizah Reshani

NËNA FOTO NUK PATI


Nuk e njoha fotografinë e nĕnës për së gjalli
Se kur iku ajo unë isha sall njëvjeçar
Foto s’më la as për rrasën te varri
As pèr albumin tim nê trastën plot mall.
Nuk më la as motër as vëlla
Se iku herët në stinën e nusërisë
Mbeta si shtëpia me një tra
Kur fluturoi ajo si retë e kaltërsisë.
Pastaj në jetën time si gazetar e poet
bëra me qindra fotografi të nënave
Po. foton e nënës askund s’e kam gjetur
As në ëndrra as në pikturat e ofshamave.
Se nëna firmë vënte me gisht
Po Gjyshi s’e kishte firmosur rrugën e Anadollit.
Prandaj shteti s’ kishte deŕguar fotografist
as për syretin e saj për pasaportën e ekzodit.
U rrita me mallin për fotografinë e nënës
Rrudhat e shpirtit më përvëluan si vala
Sa herë malli më merrte për fëmijerinë
Diçka përbrenda më therrte si ngjala.

…………………………………………………………………..

SAGA E MUHAXHIRËVE


Një det lotësh si breshër, si shi
Përpara rruga pa rrugë me buaj e qe
Drejt shkretëtirës së Anadollit të zi
Në hejbet e zemrës nga një copë Atdhe.
Në qeleshe bloza, një pikturë si hiri
Shokat që mblidhnin damarët e dhembjes
Nga një syret në korniza trishtimi
Krrokama e sorrave, korbave, iso e dyndjes.
Mbrapa varret e gjyshërve me rrasa
Gurët që ndrynin nga një legjendë
Arat ferrishta, livadhet me uritha, balta…
Gjurmët e qerreve me rrota druri që brejnë.
Syloti i nënave me lulakët në gji
Për djepat e mbetur në shtëpitë e djegura
Vaji i fëmijëve, lehjet e qenëve, imazhi gri
Piskamat e shpirtit për dashuritë e vjedhura.
Në polin e Veriut, në kancelaritë e Evropës
Arkitektët e hartthikave vizatonin kufijtë e zi
Arbërisë ia kafshonin copat e tokës
Një popull dyndej, Muhaxhir, pa oborr e shtëpi.

………………………………………………………………

ÇMALLJA ME VENDLINDJEN


Në Geriçec u çmalla me gurët
Arave të babait iu rash trup e tërthor
Malësorëve ua putha nurët.
Varri i gjyshit m’ u duk si meteor.
Fëmijë u bëra në vendlindje, dje.
E luajta me topa arnash të butë.
Arave lëruar me parmendë e qe.
Fushat i kaptova, skutë më skutë.
Te kroi i fshatit mbusha fuqitë me ujë
Ibrikët e vegjël për mysafirët udhëgjatë
Te trapazani, rashë në gjunjē.
Urtinë e Odës, ku e mësoja përnatë.
Faroshin e mbusha me trosha sofre.
E rrugën e mullirit e shkela si dikur.
Mullaret e sanës i çukita me brofe.
Në grazhde deleve iu qita ballgur.
I nguca pak çikat në vek.
Me këngën për mallin e tyre për ashik.
I hëngra dy flakaresha të nxehtë!
Ik çerrata, mos u bë pishpirik!
Poshtë nën fshatin tonë të rrafshët
Lumi i qetë si dikur gurgullonte
Nga mulliri i babait veç gurët e lashtë
Toka e verdhë m’ u duk se lotonte.
Kujtimet e fëmijërisë më bën me vaj
Lama e motmotit m’ u kujtua me kuaj.
Dardha vjeshtore e vyshkur, e verdhë
Pllug s’ gjeta vendlindjen me mbjellë!

………………………………………………….

NÊ ARËN E BABAIT
Artin e mbjelljes nga babai e mësova.
Si fëmijë në arat e Geriçecit.
E, sa herë para qeve u rrëzova.
Pëllugut derisa ia mësova lezetin !
Mëngjeseve të pranverës dhe vjeshtës.
Kur misrin a grurin babai mbillten në arë.
Mbi hullitë bukanike të parmendës.
Çapaçul unë, ia mbushja hejbet me farë.
Babai mbushte grushtat, e farën derdhëte.
Si kokërrat e orizit mbi valët e detit.
Në hambarim e Zotit, thoshte, po e shkepëte.
Sytë i qeshnin nga shpresat e bereqetit.
Hidhte shumë farë mbi brazdat me guraleca.
Se, do, thoshte babai është për shpendi.
Do është ushqim për milingonja, bubrreca.
Do, nuk mbin, nëse nuk bjen shi.
Babai një monolog deklamonte në vete.
Kur dielli ikte pas kodrës me pelerinën gri.
S’ di lutje, këngë ishte, a bejte.
Por, çerpikët i shkëlqenin mbi sytë e zi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT