Saturday, April 19, 2025
BallinaKulturëGëzuar Ditëlindjen, miku i gjithë poetëve, Kujtim Hajdari!

Gëzuar Ditëlindjen, miku i gjithë poetëve, Kujtim Hajdari!

Shkruan Arben Iliazi

Më 10 prill 1956, në rrugët e përbaltura të fshatit Hajdaraj, i cili ndodhet rreth 4 kilometra larg Lushnjës, u lind poeti i mirënjohur Kujtim Hajdari. Nuk u bë ndonjë ceremoni familjare. Dëgjohej vetëm çapitja e lodhur e njerëzve që, kohë më kohë, ulnin përdhe barrët e tyre. Askush nuk e mendonte se fëmija i brishtë, që prindërit e quajtën “Kujtim”, do të rritej si një fëmijë me shpirt të ndjeshëm, qysh në mituri, dhe do bëhej ithtar i zjarrtë i Robert Bërnsit dhe poetëve të mëdhenj rusë Bagricki, Pushkin dhe Esenin, por edhe i Hygoit, Shilerit dhe Uollt Uitmanit. Krijimet e djaloshit me përfytyrim të harlisur, u botuan në gazetën lokale “Shkëndija, si dhe në organet qendrore, “Drita” dhe “Zëri i rinisë”. Veprat e para “Do të vijë pranvera?” (poezi), “Violinisti” (poezi) dhe “Netë pa gjumë” (dramë), nuk panë kurrë dritën e botimit, pasi poeti u akuzua për “frymë antiparti”.

Poetit Hajdari iu mohua jo vetëm e drejta e botimit, por edhe e drejta e vazhdimit të shkollës së lartë, por gjithçka e përballoi me një buzagaz përdëllyes. Poezia e tij nuk u hutua dhe nuk e humbi talentin. Ai kishte një bindje instiktive, tejndjenjësore, se ëndërra e tij krijuese do të triumfonte. Me ndërhyrjen e Dritëro Agollit, më në fund u diplomua si mësues letërsie, profesion që e ushtroi për disa vite. Pas ndryshimit të sistemin politik, poeti u largua në mërgim në Itali dhe më pas u vendos në Massachusetts, SHBA.

Si gjatë kohës së mërgimit në Itali, ashtu edhe në SHBA, ai vazhdoi të shkruajë dhe të jetë aktiv, duke publikuar rregullisht vëllime me poezi dhe duke marrë pjesë nëpër antologji të ndryshme. Biografia e tij letrare është shumë e pasur. Është autor i 18 librave me poezi dhe, deri më tani, ka marrë pjesë në 136 antologji kombëtare dhe ndërkombëtare, në tri gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht, antologji me, pjesëmarrjen e poetëve të njohur nga shumë vende të botës. Poezitë e tij janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, SHBA, India, Rumani, Marok, Egjipt, Danimarkë, Pakistan, Bangladesh, etj. Ka marrë pjesë në shumë kompeticione kombëtare e ndërkombëtare, ku ka fituar çmime të shumta në vende të ndryshme të botës. Në gusht të këtij viti (2024) fitoi në SHBA çmimin INTERNATIONAL IMPACT BOOK AWARDS.

Kujtim Hajdari hyri në poezinë shqipe si poet lirik, me temperament të veçantë, gjithmonë në kërkime të reja për të përsosur shprehjen dhe mendimin poetik. Me thjeshtë si dhe lakonizëm. Vargjet e tij dallohen nga një tejdukshmëri e mahnitshme, me një gërshetim magjik të fjalëve, plot asonanca dhe muzikalitet. Mënyra e vendosjes së fjalëve në vargje të emocionon dhe të trondit. Tek poeti Kujtim Hajdari, kaq i pangjashëm me të tjerë, ka gjetur shprehje lirika filozofike dhe lirizmi i vërtetë që , për thellësinë dhe fisnikërinë e ndjenjave, del mbi të gjithë poezinë e tij. Vepra e tij është një përmendore e vërtetë poetike e shpirtit njerëzor, një manifest poetik, sublimim dhe animizim i skajshëm i çdo dhimbjeje, me një altruizëm të jashtëzakonshëm, me një intuitë të rrallë krijuese dhe e shenjuar nga ndjenja të thella. Kujtimi i don njerëzit me një dashuri të pakufishme, me një dashuri të shqetësuar. Te njerëzit është qendra e unit të tij. Në gjithë krijimtarinë e Kujtim Hajdarit ravijëzohet, në mënyrë të dukshme, gjurma shpirtërore e tij. Me vullnetin e krijuesit për t’i dhë në formë krijimit, ai e nxit artin e tij vetëm në atë drejtim dhe drejt atyre figuarave, me të cilat ndihet i lidhur shpirtërisht. E ndien artin e poezisë si pjesë, si një nga format e bukura të jetës. Për të poezia është e shtrenjtë, por edhe e vrullshme dhe demoniake, kur vërtitet, me muzikën e saj, përqark rrënojave të shpirtit, në botën e gjërave të paqarta e pa formë.

Kujtim Hajdari i përket breznisë së shenjtë të poezisë së dëlirë, që bëjnë portretin shpirtëror të epokës dhe përcjellin dhimbjet e dashurisë me drithërimë të pastër e të pathyeshme, me përpjestime të mahnitshme, duke e zbukuruar me mesazhe frymëzuese kohën tonë, në kontakt me një realitet të ashpër, si një plagë që nuk shërohet asnjëherë dhe mbetet dhimbje e ëmbël, e përjetshme, ku fjala e njeriut nuk rroket kurrë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT