Monday, June 16, 2025
BallinaVitrina e libritKUR E SOTMJA KA FYTYREN E MASKUAR TË SË TE DJESHMES...(Mbi poezinë...

KUR E SOTMJA KA FYTYREN E MASKUAR TË SË TE DJESHMES…(Mbi poezinë “E sotmja me fytyrën e të djeshmes” e autores Nasja Xhemalaj)

Shkruan Margarit Done

Poezia e Nasja Xhemalaj është një shfaqje e guximshme ndërgjegjësimi poetik dhe nje dëshmi konkrete mbi kontrastin midis “të djeshmes” dhe “të sotmes”, ku revolta, zhgënjimi dhe dhimbja bëhen jo vetëm përjetim personal, por edhe shumë më tepër…
Ajo nuk ngrihet për të rrëfyer nostalgji, por për të çjerrë maskën e një kohe që premtoi dritë, por solli zhgënjim e përsëritje.
“Të djeshmen” e shohim si një memorie të vuajtjes, ku populli “si i vdekur mbi dhe”, ndrydhur, i shtypur e i druajtur, jetoi nën sundimin e një ideologjie që vendosi pushtetin mbi shpresën dhe “Zotin” mbi njeriun.
Në këtë kontekst, simboli i “udhëheqësit” që bëhet “Zot” është një metaforë e kthjellët e verbimit ideologjik dhe të dorëzimit të vullnetit individual përballë autoritetit absolut.
Por kulmi i revoltës poetike nuk qëndron në atë që ndodhi, por në zhgënjimin e të sotmes, e cila, në vend që të ndriçojë rrugën pas errësirës, vjen si “plaka kurvë”, një figurë e fortë, tronditëse, që mishëron pabesinë, degjenerimin, zhgenjimin dhe zhveshjen nga idealet. Kjo është një metaforë që flet me zhgënjim për tranzicionin, për demokracinë që s’mbajti premtimin, për lirinë që ra në kurthin e banalitetit dhe korrupsionit.
“Mbajtëm thëngjill të ndezur” për katër dekada, thëngjill që simbolizon shpresën, dhimbjen, durimin, por në përfundim asgjë nuk ndryshoi thelbësisht.
Vetë “e sotmja” ka fytyrën e maskuar të “të djeshmes”, me një tjetër emër, por me të njëjtin trishtim.
Poezia është një shpërthim i shpirtit që nuk gjen qetësi as në lirinë e fituar. Është zëri i atij që s’ngushëllohet me premtime, por kërkon kuptim, ndryshim. Revolta poetike këtu është pasqyrim i një etike të lartë, e një zëri që s’pranon të qendrojë indiferent përballë hipokrizisë dhe zhgënjimit të masës absolute…
Poezia e Nasja Xhemalajt është një formë e paster, e kthellët shpirtërore në formën e një akuze poetike ndaj kohës, ideologjive dhe zhveshjes nga ideali.
Është një thirrje se edhe nëse sistemi ndryshon, njeriu mbetet rob i së kaluarës nëse nuk e pastron ndërgjegjen. Poezia është si një protestë, është përballje me plagët që nuk shërohen dot vetëm me ndryshime emrash por me ndryshime thelbësore në ndërtimin e njeriut të lirë. Dhe kjo, fatkeqësisht, s’ka ndodhur “asnjëherë”.
Urime poetes!
Nga Margarit Done
,…………………………………………………………
E SOTMJA ME FYTYRËN E TË DJESHMES.
E lamë të djeshmen në kujtesë të tretet,
i kënduam kur s’duhej kënduar,
i duartrokitëm lavditë e rreme pa ditur përse,
udheheqësit i bëmë Zota, Perëndi,
vuajtjen në kudhër të durimit kalitëm,
të gjallë si të vdekur ishim mbi dhe.


Rrugëtonim me shpresën martire,
për dyzet vjetë e mbamë thëngjill të ndezur, në shpirt, në buzë,
dhe erdhi è ardhmja e ndritur,
me fytyrë zhgenjimi të plakës kurvë.


Nasja Xhemalaj

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT