Saturday, April 11, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-TRE GISHTAT E LIRISË Shote&Azem Galica-Romeo&Zhulieta shqiptare Baladë

Qirici Mina-TRE GISHTAT E LIRISË Shote&Azem Galica-Romeo&Zhulieta shqiptare Baladë

Malësorja, me plis të bardhë në kokë, zgjati dorën.
-Mundesh të m’i shëroni gishtat, doktor?
Mjeku i vjetër psherëtiu me dhimbje.
-Janë gangrenizuar. Duhen prerë…Si janë shkaktuar plagët?
-Nga pushka, doktor.
Baroti.Flaka e plumbave.
Dhjetë vjet luftë.
Dhjetë vjet kam tërhequr me këta gishta këmbëzën e pushkës dhe të pistoletës.
Në shi e në erë.Në dëborë e në furtunë.Në male e në fusha.
Nuk janë thjesht mish dhe kocka.
Janë kujtesë!
Janë betim!
Trupi mund të shpëtohet duke prerë një pjesë të tij, por shpirti nuk shpëtohet duke prerë historinë, doktor.
Tre gishta.
Tre plagë.
Tre fjalë:
Liri-Tokë -Nder!
-Cila jeni ju, zonjë?
Nusja e bukur, si vesë mëngjesi, u ngrit në këmbë.
Gërsheta mbi supin e djathtë iu drodh lehtë.
-Shote Galica!
Ishte dimri i fundit i vitit 1927.
Muaj më parë i kishte shkruar një letër Ahmet Zogut:
“Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicas, prijësit të lëvizjes kaçake të Kosovës.Kam me vedi katër fëmijë jetimë, bij të luftëtarëve të rënë për çlirimin e Kosovës.Jam e shtrënguar t’ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria, bashkë me fëmijët…”
Naltmadhnia nuk iu përgjigj kurrë.
Për të ushqyer vocërrakët, shiti kalin, dhuratën e Azemit për “rosën” e Radishevës.
Mbi kurrizin e atij kali kishte shkuar nuse në fisin e Galicajve.
Luftoi në çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare.
Mbarti Azemin e plagosur për vdekje në thellësi të një shpelle, që serbët të mos ia gjenin varrin.
Me atë kalë erdhi nga Kosova në tokën amë.
Qau me lot të nxehtë.
Edhe kalit iu veshën sytë me një lëng të bardhë, që e fshinte me qerpikët e gjatë.
Kur kapërceu kodrën e fshatit, ktheu kokën dhe hingëlliti fort.
E përshëndeti për herë të fundit?
Më 10 nëntor 1895, në kullën e Halil Radishevës, pas gjashtë djemve, lindi vajza e vogël.
E quajtën Qerime.
Ati e thirri për herë të parë “Shota”.
Të rritej e fortë, e bukur, guximtare.Si rosat e egra të Kosovës.
Shota!
Nusja e bukur e legjendës Azem Galica.
Një ditë pas martesës, 19-vjeçarja hoqi fustanin e nusërisë dhe veshi rrobat e luftës.
Hodhi pushkën në krah dhe ngjeshi në brez kamën e pisqollën.
Dhjetë vjet me Azemin, bashkëshorte dhe bashkëluftëtare.
Dyzet beteja me osmanët, serbët e malazezët.
Nusja e Maleve luftoi në Has të Prizrenit, në krah të Bajram Currit.
Njëzet e dy anëtarë të familjes së saj u vranë mizorisht nga serbët.
Një mëngjes korriku 1927, fshatarët e Dervenit e gjetën të pajetë në kasollen e rrënuar.
Tuberkulozi.
Gangrena.
Humbja e Azemit.
Uria.
Katër jetimët qanin me ulërima.
Në një anët të gjoksit mbante copën e vetme të bukës së misrit.
E ruante për ta.
Në anën tjetër, fotografinë me Azemin, dhuratë nga Marubi i famshëm i Shkodrës.
Dora e saj mbi supin e tij.
Dashuria dhe Besa!
Në dorën tjetër pushka e lirisë!
Tre gishtat e gangrenizuar kullonin dhimbje.
Nuk kishte mbushur ende 32 pranverat.
Kur kortezhi mori rrugën e varrezave, u dëgjua hingëllima rrëqethëse e kalit. Trokonte me vrap drejt tyre.
Kali i Shotës.
Britma u shua pas bregut të lumit.
Ishte hedhur nga shkëmbi.
Edhe pse kanë kaluar gati njëqind vjet, Shota dhe Azemi, Romeo e Zhulieta shqiptare, qëndrojnë të ndarë: Azemi në Drenicë, Shota në Derven.
Enver Hoxha e nderoi me titullin “Heroinë e Popullit”. I ngriti përmendore, si ajo meritonte.
Po sot?
Çfarë është bërë?
E harruar!
Bashkojini në një varr.Në vendlindjen e tyre.Në Drenicën e tyre.Në Kosovën e tyre.
Si u deshën mbi dhe, të duhen edhe nën dhe!
Romeo&Zhulieta e Veronës mbeten simbol universal i dashurisë tragjike.
Shota&Azem Galica mbeten simbol i dashurisë shqiptare të lidhur me lirinë.
Një çift që e ktheu dashurinë në mit kombëtar.
Ata nuk shkuan te lavdia.
Lavdia erdhi tek ata.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT