Tuesday, March 3, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-GRUA, EMËR I SHENJTËRUAR! Ese

Qirici Mina-GRUA, EMËR I SHENJTËRUAR! Ese

Grua!
E bukur si e Bukura e Dheut.
E ëmbël, mjaltë në hoje, varur në degë lisi.
E brishtë, petale trëndafili lagur me vesë.
Shpirtmadhe, si Nënë Tereza.
E pakapshme, e padukshme si era.
Zemërbutë, brumi i ardhur në magje.
Sytë: të mëdhenj, të blertë, ëndërrimtarë, përzier me të kaltërtën qiellore.
Vargëzon poezi dashurie, dashuri përtej dashurisë.
Grua!
Ke dalë nga legjendat e lashta?
Zbritur nga yjet e nga hëna për të takuar tokësorët?
Për t’u përqafuar?
Për të folur?
Për t’u shmallur?
Për të dhënë besim aty ku mungon?
Për të dhënë dashuri aty ku duket e pamundur?
Për të dhënë shpresë aty ku është shuar?
Për të dhënë jetë aty ku s’ekziston?
Për të dhënë besë aty ku besëprerët janë bërë shumicë?
Për të sjellë lule pranvere aty ku toka është kallkanosur nga dimri i acartë?
Zoti nuk mund të ishte kudo, ndaj të krijoi ty sipas shëmbëlltyrës së Tij.
Grua!
Era e ngrohtë e pranverës që shkrin akujt e urrejtjes.
Përrua i mbushur me shirat e vjeshtës.
Flokë dëbore që mbulon gjithçka me bardhësi.
Dashuri që troket gëzueshëm në çdo zemër të plagosur për të dhënë forcë, besim e guxim.
Grua!
Bukuri qiellore, veshur me prarim yjesh.
Mal dhe det.
Oqean.
Akull dhe zjarr.
Dimër e verë.
Vjeshtë e pranverë.
Dora që përkund djepin.
Gjithçka dhe për gjithçka.
Përtej legjendës.
Grua!
Hirësi.
Magji.
Idhull.
Dritë dielli.
Argjend hëne.
Shpirt që shpërndan mirësi përtej universit.
Grua!
Nënë.
Gjyshe.
Bashkëshorte.
Vajzë.
Motër.
Shoqe.
Mike.
Dashuri.
Grua!
Himn dhe Flamur.
Bie në gjunjë, përunjësisht, para teje.
E shenjtëruar.
Aty ku je ti, lind jeta!
Aty ku prek ti, zbutet dhimbja!
Aty ku flet ti, ngrihet shpresa!
Aty ku buzëqesh ti, fillon e ardhmja!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT