BallinaVitrina e libritQirici Mina-Legjenda e Perasit

Qirici Mina-Legjenda e Perasit

Perasi ishte si një çupë e bukur.
Mëngjeseve, rrezet e diellit që zbrisnin nga mali i Gramozit ia mbulonin flokët me dritë floriri. Në perëndim, mali i Pradellës dhe lumi i Osumit ia lanin sytë me ujë kristali.
Kodra e Mbllatos lulëzonte me vreshta, kumbulla, qershi, thana, kaçka e gorrica të egra.
Një degë e Osumit shkëputej nga liqeni malor i Gramozit, zbriste vrullshëm nëpër pyjet me pisha e bredha të Shelegurit, çante kanionet e Virkës e të Lëngzit dhe bashkohej me lumin, duke e ndarë Perasin nga mëhalla e Kroit të Madh.
Dy burime i jepnin jetë fshatit.
Banorët thoshin se Perasi ishte krijuar bashkë me njerëzimin.
I përkiste zotave dhe gëzonte mbrojtjen e tyre.
Vajzat e djemtë kishin sy të kaltër e flokë në ngjyrën e grurit të pjekur.
Burrat pinin verë buti.
Gratë kërcenin, në majë të gishtave, vallet kolonjare dhe këndonin këngën e nuseve:
“Si vesë e vesuar,
Si tre vjet martuar…”
Por erdhi një ditë kur në Peras e në Kroin e Madh nuk u dëgjuan më këngët e nuseve.
Në fshat nuk kishte më dasma.
Dosti Beu, ardhur nga Azia e Vogël, me fytyrë e zemër të zezë, i rrethuar nga ushtarë e nizamë, urdhëroi:
-Çdo nuse, natën e parë të martesës, do ta kalojë me mua! Kush kundërshton, do të sjellë mbi fisin e vet zëmërimin tim. Nuk do të mbetet kulm shtëpie e as vathë bagëtie për pesë breza.
Burrat heshtën dhe u menduan gjatë.
Gratë shkulnin flokët e qanin.
Vajzat nuk dilnin më nga shtëpitë, të tmerruara nga fati që i priste.
Atëherë u ngritën një djalë dhe një vajzë.
-Do të martohemi ne!
Djali quhej Gjergji i Perasit.
Vajza ishte Olimbia e Kroit të Madh.
Të gjithë e thërrisnin Olka.
Dy të dashuruar.
Me zjarr e pasion.
Me zemër e shpirt.
Burrat lidhën besën dhe vendosën:
-Dosti nuk do të vdesë nga thika e shpata. Është shumë pak për të.
Ai nuk duhet të ketë varr!
Nuk duhet t’ia tretë dheu kockat!
Do ta kthejmë në blozë të zezë, si vetë dëshira e tij.
Piskama e dymbëdhjetë kacekëve të mbushur me ajër shpalli nisjen e dasmës. Tingujt u ngjitën nga lugina e Osumit deri në shpatet e Gramozit, ku dëbora ende zbardhte majat.
Nase Jani, bilbili i Perasit, ia mori këngës:
“Malet e Gramozit qajnë,
Osumi me valë rënkon…”
Pse qante Gramozi ditën e dasmës?
Pse rënkonte Osumi plak?
Dymbëdhjetë gajde dhe daulle jehonin në Pelivor, Hije, Pradellë e Kotrushë.
Nin Gunëbardhi kishte hedhur mbi supe gunën e bardhë.
Nuk fliste.
Herë pas here i ndalej vështrimi te i biri.
-Me gaz e me nder, bir!
Dasma jote është dasma e jetës, e dashurisë dhe e besës.
Njëzet e katër furrat e fshatit piqnin desh, cjep e viça për dasmorët.
Vetëm furra e Nin Gunëbardhit nuk piqte mish.
Ajo digjej pareshtur me dru lisi të Pradellës.
Olka, veshur me xibunin dhe mollokofin e gjelbër, zbukuruar me qëndisma mëndafshi, me flokët gërsheta në ngjyrën e perëndimit, vallëzonte si një zanë mali.
Vashat këndonin:
“Luaj, luaj belin, o,
Olka jonë syshkruara…”
Aroma e mishit të pjekur mbushi Perasin dhe Kroin e Madh.
Nase Jani vazhdonte këngën.
Dosti Beu, i rrethuar nga truprojat, shqyente mishin me dhëmbë dhe fshinte duart e lyrosura pas shallvareve.
Gajdet buçisnin.
Daullet gjëmonin.
Fyjet oshëtinin.
E zonja e shtëpisë hyri në odë.
-Dosti Be, erdhi çasti… Nusja po të pret.
Pashai fërkoi mustaqet dhe buzëqeshi.
-Allahu qoftë lëvduar!
Kur hyri në odën e nuses, mbeti i ngrirë.
Olka nuk e kishte mbuluar fytyrën.
Flokët gërsheta i derdheshin mbi gjoks.
Këmisha e bardhë ishte e qëndisur me luleshqerra e manushaqe.
Mollokofi i gjelbër deri në fund të këmbëve, veshur poshtë xibunit të zi me kinda të kuqe, i jepte hijeshi si bredhat e pyllit.
-Bukuroshja e Perasit… Nata jote e parë…
Fjala i mbeti në grykë.
Gjergj Gunëbardhi dhe Vasil Kita e kapën prej krahësh dhe e ngritën në ajër.
-Tani do ta njohësh ti “të drejtën e natës së parë”, Dosti!
Furra nxirrte flakë.
-Ja oda jote!
Djemtë e hodhën brenda dhe mbyllën derën me pllakën e rëndë prej guri.
Nga furra nuk doli asnjë britmë.
Frika e kishte vrarë para flakës.
Pak çaste më vonë u bë shkrumb e hi.
Daullet vazhdonin të binin si kushtrim lufte.
Nase Jani këndonte ende:
“Malet e Gramozit qajnë…”
Banorët e Perasit dhe të Kroit të Madh derdhën butet e verës në Osum.
Tri ditë e tri net lumi rridhte i kuq drejt detit.
Pastaj u ndezën shtëpitë.
Kuajve dhe mushkave ua mbathën patkonjtë mbrapsht dhe e braktisën Perasin.
Ikën në të katër anët e Shqipërisë.
Bagëtitë e imta ua lanë maleve.
Me vete morën vetëm qetë e parmendës.
Të lëronin arat dhe të mbillnin jetë aty ku do të nguleshin.
Perisioti, qeni besnik i Nin Gunëbardhit, qëndroi njëzet e katër orë në pragun e shtëpisë.
Kur ranë trarët e fundit të banesës së përflakur, angulliti dhimbshëm dhe u largua me vrap.
Furra u shua pas tri ditësh.
Ende mbante erën e rëndë të pashait, të kthyer në blozë.
Një fshat mund ta pushtosh.
Mund ta djegësh.
Mund ta shkretosh.
Por nuk mund t’i marrësh nderin.
Një shekull më pas, ndoshta edhe më vonë, nga hiri i Perasit lindi Gostivishti.
Si zogu i lashtë Feniks.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT