Në strehëzën e prindërve të mij,
Gjethet si pendë paskan rënë,
Një dryn i ndryshkur më flet për çudi
Mbyllur ruaj kujtimet, që këtu keni lënë.
Përulëm para derës, si para një shenjëtori
Pres dikush ta hapi, pres të dëgjoj një zë,
Zemra më dridhet, sa s’del nga krahërori,
As perdet nuk lëvizin,nuk pëpëtin asgjë !
Shkallëve të drunjëta ulëm, si dikur fëmijë,
Hapat e babait në shpirt fillojnë trokasin,
Malluar për bastunin, për kollën e tij..!
Për folezën ku akoma pëllumbat gugasin.
Më mori malli për strehën e prindërve të mij,
Atë strehëz të vjetër, madhështore sa bota,
Për lodrat, për ata karafilat e kuq në saksi,
Për zërin e vëllait e për të miat motra !
Ikën prindërit një mëngjes, a darkë s’e kujtoj !
Ikën larg vendit për një jetë më të mirë,
Atë ditë vjeshta nëpër pemë, si një nënë lotoi !
Akrepat e orës u ndryshkën, tik – taku ka ngrirë…
Në strehëzën e prindërve të mij,
Atë strehëzën e vjetër,madhështore sa bota,
Femijëria ime mbrenda,mureve luan e rri
Bisedon me vëllain e me të miat motra…
