BallinaVitrina e libritQirici Mina-Gratë e Sulit

Qirici Mina-Gratë e Sulit

Gruaja me shami të bardhë në kokë vraponte në krye të kolonës. Me hap të rëndë, si të udhëhiqte epoka.
Gurët ku shkelnin këmbët e saj të zbathura, rënkonin me dhimbjen e një populli.
-Motra, te shkëmbi i Zallongut!- sokëlliu më zë luaneshe.
Pas e ndiqnin tridhjetë gra dhe vasha të reja.
Të bukura, si dritë mëngjesi!
Vraponin të arrinin sa më parë majën e shkëmbit, ndjekur nga ushtarët e Ali pashës, me britma dhe ulërima rrëqethëse.
Fshati digjej në flakë.
Burrat ikur në luftë.
-Para njëqind vjetësh, këtu u hodhën gratë dhe vashat e Sulit, -tha gruaja prijëse.- Nuk pranuan të bëheshin skllave haremi të sulltanit.
-Këtu edhe ne!-tha vasha me sy të kaltër, si qielli i Sulit.- Kurrë robinja të Ali qenit!
Era ulërinte mbi majat e maleve, si të qante për atë që do të ndodhte pas pak.
Qielli ishte rënduar nga retë e zeza, përzier me hirin e luftës dhe ofshamat e grave.
Në majë të shkëmbit, midis qiellit dhe tokës, qëndronin ato:
Vashat e Sulit!
Të Bukurat e Dheut!
Veshur me fustanet e bardha të nusërisë!
Në duar mbanin fëmijët e vegjël.
Sytë e pafajshëm shikonin qiellin.
Kishte diçka më të madhe se jeta e tyre., të shenjtë dhe hyjnore:
Nderi dhe liria!
Sytë u digjnin flakë.
Bijat e Sulit s’mund t’i shkelte askush, as me shpatë, as me këmbë.
Vajza me flokë të gjatë e të lagur nga djersa, ngriti duart drejt qiellit.
-Më mirë e vdekur, por me nder!
Liria ka emër!
Zërin e mori në krahë humnera dhe e përhapi në luginë.
Kushtrim që shkundte gurët e malit dhe drurët e pyllit.
Trupi, si sorkadhia e pyllit me lisa të gjelbër, u kthye në shqiponjë.
Shqiponjat nuk pranojnë zinxhirë!
Pas saj, një grua tjetër u ngjit mbi shkëmb.
Në gji shtrëngonte foshnjën.
Ende s’kishte mbushur vitin.
Çuditërisht, fëmija nuk qante.
Nusja e re i puthi ballin e trëndafiltë.
I puthi sytë.
I puthi gushën e njomë dhe flokët me aromë borziloku.
E mbështolli me shaminë e bardhë të kokës.
-Nëna po të çon në liri, jo në robëri, biri im!
Njëra pas tjetrës, si petale që ndahen nga lulja, ato vërtet u shuan në ajër ,por u ndezën në përjetësi.
Si ndizen yjet natën në kupën e qiellit.
Shkëmbi pranoi trupat e tyre, por jo shpirtin.
Shpirti u ngrit lart, mbi mjegullën e errët që zbreste nga qielli, me re të trazuara, si zemrat e maleve.
Qielli hapi krahët për t’i shndërruar në yje të heshtur që ndriçojnë historinë.
U bënë legjendë dhe këngë.
Nderi i një kombi që nuk përkulet.
Pas më shumë se dyqind vjetësh, shkëmbi i Zallongut tani thirret:
“Shkëmbi i Lirisë”.
Në ballë të tij koha ka skalitur fjalët:
“Malet ulën kokën përpara nderit të tyre”!
Mina T. Qirici
Nga libri në proces “Balada dhe legjenda shqiptare”
Gjiri i Lalëzit, 26 gusht 2026

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT