Thonë se
lëngu më i shtrenjtë në botë
është loti:
vetëm një për qind ujë,
e nëntëdhjetë e nëntë për qind ndjenjë.
Sa i mallkuar ky gurbet,
morri shumë nga djemtë e rinj,
nga rrënjët e vendlindjes,
nga gjiri i nënave,
e nga malli për atdhenë.
Hajdeni, vëllezër,
në vendlindje një gotë lot
bashkë ta pimë!
Ta pimë për nënat që presin,
për baballarët me sy kah dera,
për motrat që mbajnë mall në zemër,
e për djemtë që s’i ktheu vera.
Ta pimë për rrugët e gjata
që na ndanë nga shtëpitë,
për ëndrrat e mbetura nëpër stacione,
për valixhet e rënda me kujtime,
e për zemrat që ikën larg,
por kurrë s’u shkëputën nga vendlindja.
Gurbeti mori bijtë e vendit,
i shpërndau nëpër botë,
e pas tyre la
pragje të heshtura,
dritare që presin,
dhe kujtime të lagura me lot.
Hajdeni, vëllezër,
të pimë nga një lot,
se gota e mallit
s’ka fund në këtë jetë.
Një pikë për vendlindjen,
një për nënën që ende pret,
një për babanë me sytë kah rruga,
një për motrën që fsheh mallin,
e një pikë të fundit
për atë që mori rrugën e gurbetit
dhe nuk u kthye kurrë në atdhe.
Se loti nuk pihet për t’u dehur;
pihet për të mos harruar.
E kur gota të na mbushet plot,
mos e quani më lot…
quajeni mallin e një populli
që jeton larg,
por vdes pak nga pak
për vendlindjen.
