Mos më prek me buzë, mos më prek,
ta kam thënë me sy mijëra herë:
se jam një shkëndijë që djeg,
me flakë përskuq një terr.
Më fle, më fle një prush nën lëkurë,
çdo prekje më ndez dyfish,
një zjarr që s’mund të shuhet kurrë,
një vatër mes dy sysh.
Mos më puth në buzë se më deh
dhe s’di çfarë bëj dhe them pastaj;
veç gotë e verës që më njeh,
thotë se kur pi, e shaj…
Çdo prekje në qiell të shtatë më ngre,
ah, mollëzat e fajshme ti dua,
se trupi më bindet, më bindet si re
të dridhet nën erërat e tua…
