Nuk e njoha fotografinë e nënës për së gjalli
Se kur iku ajo unë isha sall njëvjeçar
Foto s’më la as për rrasën te varri
As për albumin tim në trastën plot mall.
Nuk më la as motër, as vëlla
Se iku herët në stinën e nusërisë
Mbeta si shtëpia me një tra
Kur fluturoi ajo si retë e kaltërsisë.
Pastaj në jetën time si gazetar e poet
bëra me qindra fotografi të nënave
Po foton e nënës askund s’e kam gjetur
As në ëndrra, as në pikturat e ofshamave.
Se nëna firmë vënte me gisht
Po Gjyshi s’e kishte firmosur rrugën e Anadollit
Prandaj shteti s’kishte dërguar fotografist
as për syretin e saj për pasaportën e ekzodit.
U rrita me mallin për fotografinë e nënës
Rrudhat e shpirtit më përvëluan si vala
Sa herë malli më merrte për fëmijerinë
Diçka përbrenda më digjte si ngjala.
