Ti nuk ike veç e ndërrove adresën e dritës,
U bëre një yll i fshehur në xhepin e natës,
Dhe hëna mban ende dorëshkrimet e tua
Si plagë të pendës së artë,
Duke gjarpëruar mbi lavdin e lirisë.
Fjalët e tua ishin zogj të kaltër, që pinin ujë në burimet e shpirtit.
Sa herë atdheu mbetej pa dritë,
Ti ndizje një diell prej letre dhe e vendosje mbi supet e errësirës.
Tani tavolina jote është një lis pa hije,
Pena jote është një shpatë e fjetur,
Ndërsa librat e tu janë dritare të hapura
Era i shfleton faqet si një nënë që ledhaton ballin e të birit.
Miqtë të kërkojnë nëpër kafene të heshtura,
Në rrugët ku dikur qeshja jote çelte lule prej zjarri.
Por ti je bërë dritë mbi kujtesën tonë,
Një kambanë e padukshme që bie sa herë përmendet fjala “poet”.
Dhe një ditë, kur edhe ne të bëhemi hije
Do të të gjejmë përsëri ulur në një nga galaktikat vargjeve
Duke shkruar me ngjyrën e yjeve emrin e pavdekësisë.
Sepse poetët nuk vdesin,
Ata mësojnë qiejt të flasin,
Me metafora dhe simbole të përjetësisë.
