BallinaVitrina e libritQirici Mina-Bukuroshja e Strumit

Qirici Mina-Bukuroshja e Strumit

Bukuroshja e Strumit
Sipas legjendës myzeqare

Në fshatin Strum të Myzeqesë jetonte një vajzë me bukuri të pashoqe.
Flokët i shkëlqenin si mëndafshi në diell!
Sytë, si dy yje të kaltër!
Buzët, të kuqe si qershiza në degë!
Balli, larë me dritë argjendi!
Gusha, e bardhë si gushë pëllumbi!
Vetullat, si krahët e dallëndyshes!
Kur kthehej nga kroi i fshatit, me stamën mbi kokë, hapat i lehtësoheshin mbi dhe, si kënga mbi krahët e erës.
Nuk kishte emër!
Në krahinën e Myzeqesë, në Berat e më gjerë, e thërrisnin me një zë:
Bukuroshja e Strumit!
Djemtë e fshatit çmendeshin pas saj!
Prifti i kishës së Shën Gjergjit humbiste mendjen!
Gratë e shikonin si një hënë që nuk i bënte hije askujt, por u falte të gjithëve dritë dhe mirësi.
Populli e këndonte në këngë!
Kudo flitej për të si për një mrekulli të gjallë!
Një ushtarak i lartë osman, komandant i garnizonit të kalasë së Beratit, i hipi kalit dhe ndali frymën në fshatin Strum.
Vajza mbushte stamën e baltës me ujin e ftohtë të kroit.
Oficeri turk u deh nga bukuria e saj.
-Më jep pak ujë me dorën tënde!
Vashës i ngriu stama në dorë.
Më shumë i ngriu zemra në kraharor.
Sytë i lëshuan zjarrin e urrejtjes.
-Ja ku e ke burimin!
Oficeri e kapi nga krahu dhe urdhëroi me forcë:
-Do të të çoj në haremin tim në Stamboll! T’i mbushësh sarajet e mia me djem jeniçerë që të luftojnë për sulltanin!
Vajza, me ballin lart dhe shpirtin e lirë, ia ktheu:
-Nuk jam për t’u blerë!
Nuk jam për t’u shitur!
M’u thaftë barku si rëra në shkretëtirë!
Mbeça kallogre mbi dhe, nëse bëhem gruaja jote!
Përplasi stamën në tokë dhe u largua.
Prifti bëri kryqin.
Duart dhe zëri i dridheshin.
-Ndihmoje Bukuroshen e Strumit, o Shën Gjergj!
Të nesërmen, vasha mprehu qetë dhe u nis në arë bashkë me atin plak.
Shtatë djem e shtatë vajza i dha Zoti, po të katërmbëdhjetët ia mori po Ai, për katërmbëdhjetë vjet.
Dritë syri kishte tani vetëm Viton.
E bukur si e Bukura e Dheut!
E zgjuar si plak i moçëm!
Trimëreshë si princi i Muzakajve!
Në anë të pyllit, një djalë i ri kosiste barin dhe këndonte:
Me dy qetë e zez po lëron në arë,
me fustan të kuq po lëson ugarë…
Kënga i ngriu në buzë.
Oficeri turk, si mbirë nga dheu, u shfaq egërsisht para vashës.
-Më fal zemrën, të fal jetën!
– Oficer i sulltanit! -klithi Vito. -Zemra ime as nuk falet, as nuk dhurohet.
Ajo fitohet!
Eja, mere!
Nxori poshtë brezit të fustanit të kuq koburen grykëshkurtër dhe qëlloi mbi të.
Me zemërim dhe urrejtje!
Oficeri i lartë u shtri në tokë.
Dy ushtarë ia ngulën kamat e mprehta në gjoks.
Fustani i kuq mori ngjyrën e gjakut, apo gjaku mori ngjyrën e fustanit?
U bë flamur?
Dy qetë e zez ishin shqiponja me dy krena?
Djaloshi u bë si vetëtimë, me kosën në dorë!
Kokat e ushtarëve u rrokullisën nga supet e tyre dhe ranë nën thundrat e përbaltura të qeve të zez.
Në oborrin e kishës, vasha dha shpirt në duart e djaloshit.
-Bija ime!
Trimëresha ime! -pëshpëriti, mes lotëve, i ati.
Legjenda thotë se aty ku ra gjaku i saj, lulëzuan manushaqe të egra.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT