Në Rahovec, ku flet era me zërin tand
Në Rahovec, ku rrushi pi dritën e diellit
dhe toka e kuqe mban mend hapat e fëmijëve,
emni yt zgjohet si kambanë e butë marsi,
Xhevdet —
si një varg që s’ka pranuar me u mbyllë.
Sot, nëpër rrugët e vendlindjes sate,
poezia s’asht veç fjalë —
asht frymë që del prej gurëve,
asht mall që rrin pezull mbi vreshta,
asht zani yt që thërret prej largësive
ku mërgimi u ba atdhe i përkohshëm i shpirtit.
Ti e deshte njeriun ma shumë se heshtjen,
edhe kur heshtja të rrethonte si mjegull.
E deshte fjalën,
jo për me zbukuru botën,
por për me ia nxjerrë plagën n’diell.
Në çdo varg tandin kishte udhë,
kishte kufij që thyheshin pa zhurmë,
kishte dhimbje që s’lypste mëshirë,
veç të drejtën me u thanë.
Sot Rahoveci nuk mban zi —
ai mban dritë.
Sepse poetët nuk vdesin,
ata shpërndahen nëpër gojët tona,
hyjnë në librat që hapim natën,
ulem pranë nesh si miq të vjetër
dhe na mësojnë me e dashtë botën
edhe kur ajo asht e ashpër.
Xhevdet,
ti je ende këtu —
në çdo manifestim poetik,
në çdo duartrokitje që ngrihet si lutje,
në çdo të ri që merr guximin
me e thanë të vërtetën me zë të plotë.
Rahoveci sot flet me gjuhën tande.
Dhe marsi, si gjithmonë,
çel lule
mbi emnin tand.
