Nga deti doli me flokët e njomura,
mbi mua i shkundi;
si dallgë mbi shpirt
i ndjeva.
Ecja,
e dallga nga pas më ndiqte,
thua se shpirtit tim
diçka po i linte…
La piklat e ujit
si pjesë të ndjenjës së saj,
që, pa u ndier,
nisën ngacmime të sillnin.
Ditët iknin,
dhe sytë nisën të kapnin shikime,
ashtu, pa zë…
Ajo dritë e mjegullt
nisi të fliste.
Një vajzë ruse
apo ukrainase,
s’e di ti ç’ishe;
vajzë deti të quajta.
E bukur në kurmë,
e thellë në shikime;
vetë dielli
në gjirin e saj kishte qëndruar,
si një pikë zjarri
që s’di të shuhet.
Hej, moj vajzë,
ç’turbullirë më solle
me ato ngacmime buzë detit.
Nuk gënjej po të them:
diçka të bukur,
nga vetja tek unë,
Ti le.
O, sa doja të dija
nëse edhe ajo e ndjeu
atë që unë,
me sy,
i fola.
Sepse kishte diçka
që nuk e thamë,
por e lamë
mes nesh…
Dhe çdo xhelozi
do të doja ta prishja,
çdo hije që do të mundohej
ta zbehte bukurinë e kësaj ndjenje
që, pa zë,
kishte lindur.
