Natyrë kurative dhe peizazhe fantastike
Ditën që mbi tokë lindi Përmeti, Zoti duhet të ketë qenë i frymëzuar nga dashuria për natyrën sepse e vizatoi qytetin si një peizazh pa kohë, ku malet, kodrat, lumi dhe pyjet do të qëndrojnë bukur si ditën e parë, madje me të fshehta për t’i zbuluar. Kjo shpjegon edhe pse deri në ditët tona janë ruajtur toponimet origjinale romake siç është emri i lumit Vjosa që përshkon krejt luginën.
Prej ujërave të rrëmbyer të Vjosës lindi lumi i Langaricës; i rrëmbyer në dimër dhe i urtë si përmetarët në stinët e ngrohta. Langarica rrjedh mes një kanioni spektakolar që ka të njëjtin emër, në brendësi të të cilit gjen shpella të paimagjinueshme. Rrjedha e Langaricës shpërndahet në degëzime të shumta. Përrenjve u bashkohen ujëra të ngrohtë që pavarësisht rrjedhave të ftohta të lumit, janë në temperaturë 29-30 grade celcius cdo ditë të vitit. Këto janë burimet termale të Bënjës, një fenomen i rrallë natyror, me ndihmën e të cilit qindra njerëz kërkojnë shpëtim për shqetësimet reumatizmale, apo për sëmundje të lëkurës dhe të veshkave.
Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike , janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit Lengarica. Ḉdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës ,stomakut ,veshkave ,reumatizmës etj. Burimet e ujërave termale janë natyralë dhe derdhen në vaska të vogla të një bukurie të çmueshme në brendësi të të cilave është e mundur të mblidhet edhe baltë termale, e përshtatatshme për trajnimet e lëkurës.
Ky vend i rrethuar nga një natyrë e pandotur ,paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe Kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut.
Kanioni i Lengarices
Kanioni ndodhet rreth 200 metra larg burimeve termale ne të dyja anët e Lengarices. Rrjedha e lumit bën që në të dy brigjet të ketë një bimësi të pasur dhe të larmishme ku banon një mori shpendësh dhe kafshësh të egra, të rralla për zonën. Kanioni shquhet jo vetëm për vlerat natyrore por edhe ato arkeologjike. Kërkimet e viteve të fundit, kanë arritur në pvrfundimin se në shpellat e kanionit ka patur banesa prehistorike.
Ura e Katiut
Pak kilometra sipër derdhjes së saj në Vjosë, pikërisht në banjat e Bënjës ndodhet ura e Katiut, urë me interes dhe e ruajtur relativisht mirë. E ndërtuar mbi brigje shkëmbore ajo paraqet interes për nga kompozimi arkitektonik dhe zgjidhja konstruktive. Në qendër të kompozimit të urës ndodhet harku kryesor në formë segmenti rrethor me hapësirë drite 15.5 m dhe lartësi 6 m mbi nivelin e ujit. Përfshirë dhe arkivoltën qemeri i harkut ka trashësi 1 m dhe është punuar me gurë gëlqerorë pllakë. Nga ana e poshtme e urës në ballin e harkut ruhen ende dy ganxha metalike për mbërthimin e gurëve ballorë. Kalldrëmi i urës, me gjatësi 2.65 m është ndërtuar me gurë shtufi pllakë vendosur këlliç. Nga të dy anët e kyçit ngrihen 5 cm, mbi kalldrëm dy rreshta tërthore me gurë lumi, që lehtësojnë ngjitjen mbi kurrizin e urës.
Tipi i urës së Katiut, urë me kurriz, me theksin horizontal, me një qark kryesor e me një më të vogël anash tij, është tip mjaft i njohur në Shqipëri në shekullin e 18-të.