Friday, February 6, 2026
BallinaVitrina e libritKujtim Hajdari -E DASHUROVA JETËN

Kujtim Hajdari -E DASHUROVA JETËN

E dashurova jetën, si i marrë e dashurova,
Më rrëmbeu vallja e dashurisë që në agimet e para,
Që kur fillova të kolovitem në djepin e ekzistencës,
Që kur isha i vogël fare – një foshnjë,
Që kur i dhurova britmat e para universit pafund.

Thonë se dola me sy hapur,
Me zemrën që regëtinte e belbëzonte këngë,
Si filiz i ushqyer nga shkëlqimi i butë i dritës së diellit.
Rreth meje rrotullohej bota në marramendje të frikshme,
Ndërsa unë i padjallëzuar,
E shihja si kaleidoskop mrekullish,
Dhe qielli blu më dykej gjithmonë i qeshur,
Dhe ndiqja pëllumba të bardhë kur fluturonin lartësish,
Mbi djepin tim,
Ninullat e nënës merrnin aromë zamabaku.

Më pas spiralja e gjatë e jetës,
Filloi të më mblidhte me enigma magjish,
Në rrugët e saja që shpesh më dukeshin labirinte,
Unë prapë e dashuroja e i buzëqeshja me naivitet,
(Edhe pse vitet më harkuan shpinën nga pesha)
Siç di të buzëqeshi i dashuruari i vërtet.

Në magjepsje marramendëse,
Humbisja në sekretet e saja të lashta,
Siç humbisja në përkëdheljen e petaleve,
Të buta e plot ngjyra të një luleje që më dehte,
Siç harrohesha në tërbimin e gjembit të një ferre,
Që këmbën më kafshonte hidhur, pakuptuar,
Siç flija i mbuluar me dritë argjendi yjesh,
I kredhur në ëndrra dashurish me natën përqafuar.

Adhurova të qarat e të qeshurat e fëmijëve,
Meloditë e pafajësisë së ëmbël,
Që ngriheshin në ajër dhe krijonin vrunduj flladesh,
Ku këndonte kori i shpresave,
E lulëzonin ëndrrat e së ardhmes.

Mblodha me dashuri në dhimbjen time të madhe,
Lotët e një nëne, që frynin dhe lumenjtë,
Ku mëshira dhe dëshira e shenjëtërisë,
Pyllëzonin gjithë dashuritë.

Adhuroja e doja me shpirt,
Psherëtimat e heroit, që mbarte historitë,
Dhe mahnitesha dhe humbja në ëndërrime,
Nën heshtjen hutaqe të hijeve të natës së vonë.
Që mblidhnin e më zgjonin gjithë nostalgjitë.

Humbisja në thellësinë e syve të së dashurës,
Në këngët, meloditë dhe ylberët e dashurisë
Deri sa më zgjonte një klithmë gëzimi
Në përqafimin dehës të lumturisë.

Universi hapej në galaksi pafund gëzimesh,
Zgjerohej me ngjyra të tjera jete,
Qiejtë më merrnin si dhëndërr në valle,
Yjet me prushërime të zjarrta,
Digjnin shaminë e beqarit.

Spirale pafund dashurie ngrita në këngë,
Gjithë jetën time e s’u lodha kurrë,
Yjësitë e saja plot dritë,
Më mbushnin mushkëritë.

Mbeta një valltarë ëndrrash i çartur,
deri në muzgun e afërt që fle nën qiellin mavi,
Edhe nën krrokama të hidhura shpendësh,
Që përplaseshin në errësirën e xhamtë,
E më tundin skeletra kujtimesh fantazmë.

E dashurova jetën e koha nuk më mjaftoi kurrë,
Se e di, do t’më mungojnë shumë, në eternità
Atje, përtej në dheun e ftohtë, e di,
S’do të endem dot më si këtu,
E të shmallem në kopshtet e dashurisë.
Dashuroni, në këtë botë, o njerëz, jetën pa kufi!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT