Friday, April 19, 2024
BallinaVitrina e libritArbër Selmani - Poezia ...

Arbër Selmani – Poezia Kur vdiq Baba

Kur vdiq Baba

Kur vdiq baba,

vdiq një pjesë e imja,

vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të,

vdiqën këmishat e tij

vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë

vdiq ditë e bekuar,

vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata

andrrat që s’i pata

vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.

Kur vdiq baba,

Ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë,

Ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë që nuk u tregua më,

Ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje,

Se nuk quhet jetë

Kur çdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty

Kur vdiq baba,

Vdiqa copë copë në tepihun e banjos.

U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrën,

Për ta parë vdekjen time,

Për të harruar sa trupi po vdiste në po të njëjtën ditë.

Kur vdiq baba,

Kush nuk u kfill më në shtëpinë time,

Vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë,

vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s`është as leckë.

Vdiqën burrat e dobët të kësaj bote,

Vdiqën gratë të cilave natyra iu dha shkelma shpesh e më shpesh.

Vdiq me babën edhe lumturia ime,

Vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë,

Vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar,

Vdiq i dashuri im i harruar,

Vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë.

Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.

Me babën ka vdekur edhe e bukura,

Kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit,

Ka vdekur çdo poezi e Rumit.

Kur vdiq baba,

E ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit

I pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai

Se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës,

Se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë

Se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot,

Se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e takoi dot.

Kur vdiq baba,

zanat e bardha më janë kthyer në gjarpër të zi e të gjatë.

Kur vdiq baba,

Krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë,

Morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend,

I mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova

Kur vdiq baba,

Ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari,

Ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura,

Kanë vdekur shokët e tij, shoqet,

kanë vdekur të afërmit që nuk janë kurrë të tillë.

Kur vdiq baba,

U ula buzë lumit të lotëve të mi dhe qava.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT