Satirë
Na budalltë e diasporës
Rritë me mallin e Kosovës,
Seç i derdhëm lotët gurrë
Po që mend s’u mbushëm kurrë!
Si t’i mbajmë mendtë në kokë
Kur të shkretat shkojnë n’Kosovë,
Dhe s’e dimë jo çka na gjeti
Kur veç trupin mbajmë me veti!
Bashkë me mendjen tonë të ngratë
Andej udhë marrin paratë,
Me djersë tonën zbutet varf‘ria
E meritat merr qeveria!
Dhe pushimet kur vijmë n‘atdhe
Tjetër emën kanë për ne,
N’shtëpitë tona n’troje t’parëve:
Po vjen “mu‘ji i budall’ve“!
Sikur s’ka kund plazhe n’botë
Na budalltë shkojmë n’Kosovë,
Dhe kur vijnë krizat, festat,
Prapë budalltë shtojnë remitentat!
Kot kryejmë shkolla, fakulktete
Shtojmë biznese ndër kontinente,
Kot Europës n‘rend të parë
Kur n’Kosovë mbesim budallë!
Dhe n’foltore parlamenti
Fjalë për ne pa kurrfarë derti,
Si budallë të diasporës
Që s’ia kthejmë shpinën Kosovës!…