Saturday, July 27, 2024
BallinaLajmeKriza me energjinë elektrike në vend, një fundvit tragjiko-komik i Qeverisë Kurti

Kriza me energjinë elektrike në vend, një fundvit tragjiko-komik i Qeverisë Kurti

Fundviti i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti mund të vlerësohet si fundvit tragjiko-komik, bazuar në krizën e thellë energjetike ku ka hyrë Kosova si dhe në menaxhimin e saj .


Qeveria e Albin Kurtit ka refuzuar projektin  e ‘Gasjellësit Amerikan’ i cili është parë si një zgjidhje për problemin energjetik të Kosovës. “Nuk ndreqet aleanca me do gypa. Kjo është cektësia dhe shkurtëpamësia juaj”, kishte deklaruar Kurti gjatë një debati në Kuvend.

KEDS’ javë më parë para se të fillonin edhe zyrtarisht reduktimet në vend pas shumë vitesh, kishte paralajmëruar për një krizë të tillë energjetike, megjithatë asgjë nuk po ndodhte.

Situata tragjiko-komike filloi me Ministren e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, e cila në përpjekje për ta arsyetuar  gjendjen e rëndë në vend, kishte bërë një thirrje që u vlerësua si qesharake, thirrje që të mos lihen në rrymë “joystickat e playstation”.

Përderisa Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vucic, kishte deklaruar se ai nuk merret me temën energjetike sepse është pregaditur më herët për këtë, Ministrja Rizvanolli, kishte fajsuar qytetarët dhe Serbinë për krizën energjetike në Kosovë.

“Serbia ka bllokuar linjën energjetike mes nesh. Kjo nuk është diçka e re, por në situatë krize si kjo e përkeqëson më tej situatën”, kishte thënë ajo.

“Për dallim nga viti i kaluar, jemi duke konsumuar shumë më shumë. Konsumi është rritur për 14 për qind për dy ditë, nga 19 dhjetori deri më 21 dhjetor. Nga të gjitha aspektet po përballemi me faktorë që po ndikojnë negativisht në situatën energjetike”, kishte vazhduar Rizvanolli.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur nga gazetarët se me çfarë po nxehet, ai kishte thënë se po ngrohet me batanije, një përgjigje e paprecedentë nga një udhëheqës shteti në një kohë krize energjetike dhe jo vetëm.

“Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije”, kishte deklaruar Kurti.

Reduktimet në vend, të cilat fillimisht u premtuan se do të ishin me vetëm nga dy orë, zgjatën shumë më shumë, në fakt edhe me nga 24 orë. Për këtë në Kosovë u organizua edhe një protestë ku ndër të tjera u kërkuar edhe shkarkimi i Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Rikthimi i reduktimeve në vend kishte ngjallur pakënaqësi të jashtëzakonshme tek qytetarët e Kosovës, të cilët fundvitin e ftohtë e pritën edhe pa energji elektrike dhe me deklarata qesharake dhe skandaloze qeveritare.

Për ta kaluar këtë krizë, Albin Kurti, i ka ndarë 20 milion euro si ndihmë qeveritare. Kjo kishte ngjallur reagime sepse Kurti si opozitar kishte kundështuar ashpër privatizimin e KEK’ut.

Se situata ishte tragjiko-komike më së miri vërehej nëse gjatë mbrëmjes dilje në shesh të Prishtinës. Drita të fundvitit të cilat ishin të fikuar. Pak më poshtë ndodhte që të ndaleshin semaforët sepse ishte ndalur rryma. Pastaj fillonte tollovia dhe sirenat. Ndërkohë, në mbrëmje mund të dëgjoje ndonjë deklaratë të politikanëve në pushtet, për t’i hequr nga rryma Sony Playstation apo se si ata po mbulohen me batanije.

Në fund, për t’iu shmangur prites së Vitit të Ri në terr, Kryemnistri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën për dy netët e Vitit të Ri me furnizim me energji elektrike.

“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi”, kishte deklaruar Rama

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT