Thursday, September 29, 2022
BallinaKulturëFilmOmar Sharif, ylli i filmit botëror

Omar Sharif, ylli i filmit botëror

I HUAJI I TË GJITHË KINEMAVENjë princ arab, një prift spanjoll, një hebre njujorkez, një kryepeshkop austriak, një bakall turk, sigurisht edhe një doktor rus. Omar Sharifi ishte “i huaji i të gjitha kinemave”, një aktor poliglot, i cili theksin e papërcaktuar ia impononte cilitdo rol që merrte përsipër për të luajtur.Lindur më 10 prill 1932 në Aleksandri, në një familje të pasur me origjinë siriano-libaneze, me emrin e vërtetë Michael Shalhoub, talenti Omar Sharif u zbulua nga Youssef Chahine. Normalisht duhej të merrte në dorë drejtimin e biznesit të të atit, madje për këtë qëllim studioi edhe në Kajro. Pas diplomimit për matematikë dhe fizikë, punoi gati pesë vjet në biznesin e familjes. Më pas, shkoi me studime në Londër, në prestigjiozen Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura, për të përvetësuar artet dramatike. Në vitin 1954, kur u kthye në Egjipt, u zbulua nga bashkatdhetari i tij, kineasti Youssef Chahine, i cili e angazhoi në “Demoni i shkretëtirës”, rol që i dha aktorit emrin “Omar El Sharif”. Dy vjet më vonë, Youssef Chahine i besoi rolin e filmit “Ujërat e zeza”, ku luajti përkrah yllit egjiptian të asaj kohe Faten Hamama. Filmi u prezantua edhe në Festivalin e Kanës, ku mori përgëzimet e para. Omar El Sharif u shndërrua në një yll kinemaje në Egjipt.Në vitin 1962, kur ishte 30-vjeç, luajti rolin e princit të shkretëtirës, Ali Ibn Kharish, në filmin e tij të parë perëndimor dhe ndërkombëtar “Lorenci i Arabisë” i regjisorit David Lean, së bashku me Peter O’Toole, film ku mori emrin e “Omar Sharif”. Roli i siguroi famë të menjëherëshme ndërkombëtare, si edhe “Globin e Artë” për aktorin më të mirë në rolin dytësor dhe një nominim për Oscar për rolin më të mirë të dytë. Ky film shënoi edhe fillimin e karrierës së tij si aktor ndërkombëtar. U transferua në Hollywood, ku nënshkroi një kontratë shtatëvjeçare me studiot hollivudiane “Columbia Pictures”.Në vitin 1965, u rikthye me një fitore mbarëbotërore tek “Doktor Zhivago”, një tjetër prodhim i regjisorit David Lean, për të cilin këtë herë mori çmimin “Golden Globe Award” për aktorin më të mirë, në rolin e mjekut rus poet – Juri Zhivago. Paralelisht me karrierën e aktorit, Omar Sharif vijoi edhe një “karrierë” lojtari letrash. Madje, ishte një nga lojtarët më të famshëm në botë për lojën e brixhit. Po ashtu kishte një pasion të veçantë për sportin e kuajve, aq sa shpeshherë shihej në hipodromet franceze. Në përgjithësi refuzonte t’i rishihte filmat ku kishte luajtur, pasi nuk i pëlqente vetja kur e shihte në ekran, ndoshta me përjashtim “të skenës së vdekjes së Juri Zhivagos”. Rolet mitike të Omar Sharifit ishin: Sherif Ali në filmin “Lorenci i Arabisë”; roli kryesor në filmin “Doktor Zhivago”; “Vajza gazmore” me Barbara Streizen, shitësi filozof tek “Zoti Ibrahim me lulet e Kuranit”. Luajti mbi gjashtëdhjetë filma, por do të mbetet përherë Doktor Zhivago dhe princi i shkretëtirës Ali Ibn Kharish tek “Lorenci i Arabisë”.Sharif vijoi të shfaqej si në ekran, ashtu edhe në televizion në shekullin e 21-të, edhe pse shfaqej në role jo shumë të rëndësishëm pas mesit të viteve ’70-të. Në vend të kësaj, ai i kushtoi një pjesë të konsiderueshme të kohës së tij lojës së brixhit, publikimit të librave, videove dhe videolojërave në lidhje me këtë temë. Gjithashtu, shkroi edhe autobiografinë “Mashkulli i përjetshëm” (1976), së bashku me Marie-Thérèse Guinchard. Omar Sharifi vdiq si pasojë e një ataku në zemër në moshën 83-vjeçare. burimi Hejza

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT