Rina ime sot 16 vjet
Rinës
E mira ime!
Ecin muajt e vitet si Lumbardhi n’vërshim,
e ti rritesh çdo ditë si lule e pemëve n’bulim.
E shtrenjta ime!
Të shoh si piqesh – si pjeshka në pragverë,
e zemra po më mbushet plot diell e pranverë.
Shtathedhura ime!
Të vërej mirë sa vrik po lëshon shtat,
ta kanë zili edhe selvilartat në shpat.
Sybukura ime!
Të vështroj e lumturohem kur t’i shoh sytë bajame!
do të ndihem kështu edhe n’ditën time të mbrame.
Zemërbardha ime!
Të sodis si lëviz n’ag e muzg – puhizë e lehtë,
m’i hijeshon çdo çast e orë në të timen vjeshtë.
Mendjeholla ime!
Të vëzhgoj sa lehtë kalon çdo pengore,
mirësia jote m’i heq edhe të miat zore.
E urta ime!
Ta ndiej fjalën tënde – që s’njeh kurrë pezëm e inat,
ajo m’falet përditë si më e çmueshmja dhuratë.
Drita ime!
Ta dua buzëqeshjen dritë kur ul zërat e lartë,
o e lumtur me ty jam se di të thyesh çdo shpatë.
Urime zemra ime! E paç jetën rreze dielli e bardhësi pa fund!
Buzëmbrëmje nëntori.
Duke shfletuar albumin tim
Sa shpejt u rrite e u bëre djalosh i dëlirë,
Leka im i pashëm, Leka im i mirë.
Dje, i drojtur, si zog në të parin fluturim,
e sot, guximshëm qet hapin kah i bardhi agim.
Dje, i vogli im, mbaheshe fort për meje,
e sot, s’të duhen e imja dorë e as e imja leje.
Dje, ti zgjatje duart e unë përkulesha kah ti fort,
e sot, ngre shikimin lart se më ikën për një kokë.
Dje, mbështeteshe në mua e më shtrëngoje fort,
e sot, unë mbështetem në ty me zemrën diell plot.