Thursday, December 26, 2024
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Hamit Taka

Çaste poetike me poetin Hamit Taka

NJE MOTER TE VETME KISHTE IM ATE

Një motër të vetme kishte im atë,

Gjëja më e shtrenjtë që njihte në botë.

Ai burrë i sertë me qibër të lartë

Nga malli si foshnjë shpesh derdhte lotë;

E ëmbël ish ajo, e bukur si peri

Nga legjendat e kish emrin, Fatime’.

Atë kish babai vëlla e perëndi

Dhe shtëpia mbushej me gas e hare;

Le të ishte i dhënë pas punës i tëri

Le t’ish në kuvende mes burrash kryelartë

I drithërohej zemra, i belbëzonte zëri

Vetëm e vetëm për dy gisht kartë;

Sa herë trokiste dikush papritur

Në mbrëmje dimri a prill e maj

Ai priste me ankth, zemërprushitur

Mos shfaqej në portë portret’ i saj;

Ç’mbresa ruaj, të buta, foshnjore

Nga ndjesitë e tim eti, të bukura, intime:

Një rrudhë e saj në fytyrën ëngjëllore

Ia bënte zemrën, copë e thërrime…

Motra e tim eti u bë vesë e shi,

Rrallë e dendur vjen, lehtas ikën shkon…

Mbi flatrat e erës në ajër, lagështi

Si vesa e verës gjivakët fluturon…

………………………………………………………………………………

PAVARESISHT…

Pavarësisht se ne nuk jemi më bashkë

Dhe duart s’t’i prek më as fort as lehtë,

S’më harrohet kur më thoje: je qesharak,

I çthurrur, por je i çiltër e plot jetë;

Pavarësisht se unë shpesh para teje

Dikë tjetër me afsh e përqafoja fort

Dhe tek ti vërshonte ai zjarr prej rrufeje,

Që të digjte se nuk më përqafoje dot;

S’më harrohet emri yt dhe ajo jo-ja e qetë,

Ditën dhe natën çdo gjë më kthjellohet…

Edhe hëna kurrë mbi ne të mos jetë,

Që zemra jote kurrë të mos lëndohet!

Faleminderit po ta them sot nga zemra,

Për atë që pa e ditur as ti dhe as unë:

Ne u deshëm aq fort sa duhet ëndërra,

Për orët kur Hëna na ndriste aq shumë…

………………………………………………………………

ADOLESHENTJA EMIGRANTE

Ndonëse pranverë, qielli plot me re,

Bari i porsandirsur dheun kish mbuluar,

Braktise ti trëndafilat dhe ike atje

Mes malesh e pyjesh pa qënë e gëzuar;

Bluza veshur me ylbere ngjyra-ngjyra,

Rrugën e panjohur shikoje me vëmendje

Një buzëqeshje mgjepsëse të shndriste te fytyra

Sikur majën e Olimpit shikoje me ëndje…

Ti vetëm sa qeshje, o krijesë ëngjëllore;

Vajzë ledhatare, e dëlirë e papërlyer,

Akoma ishe e vogël si lule pranverore,

S’dije ç’do të thoshte nga jeta e zhgënjyer…

Me lulet, vogëlushe, ishe fort e dashuruar,

Se në zemrën tënde kishte vetëm pranverë

Tufa lulesh i lëshoje nënës nëpër duar

Dhe mësuesen s’e harroje ti asnjëherë…

S’do të kthehesh më te parku si dikur,

Në këndin tënd të dashur që të pret,

Je akoma e vogël si trëndafili plot nur,

Po mos e harro, kurrë, lulishtarin e shkretë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT