Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “një armëpushim i përgjithshëm urgjent jo vetëm që do t’i lehtësonte shqetësimet humanitare në rajon, por gjithashtu do të ofronte një mundësi për të kërkuar një zgjidhje politike” dhe i kërkoi Putinit “ta shtrojë rrugën për paqe”, në bisedë me presidentin rus Vladimir Putin të dielën.
Sipas presidencës turke, Erdogan i tha Putinit se Turqia “është e gatshme të japë të gjitha llojet e kontributeve që problemi i Ukrainës të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur me mjete paqësore”.
Erdogan theksoi rëndësinë e hapave urgjente për “arritjen e një armëpushimi, hapjen e korridoreve humanitare dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga presidenca turke.
Presidenti turk tha se është në kontakt të vazhdueshëm me palën ukrainase dhe vende të tjera dhe shtoi se ai “do t’i vazhdojë përpjekjet e tij për të zhvilluar negociata gjithëpërfshirëse dhe për të arritur rezultate”, raporton CNN.
Presidenti ukrainas Zelensky shkroi të premten në Twitter se po zhvillon bisedime të rregullta me Erdoganin dhe ai është “mirënjohës ndaj Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme”.