Dhe në ëndrra më gjen
Gishtat flokësh ngatërruar
kaçurrelave, mrekulli,
era frynte ëmbël, shtruar,
ishte erë, a ishe ti?
A jam zgjuar, a në ëndërr,
ç’pati zëri që m’u mek?
Qenke ti, vërtet ti je?
që lehtë flokët po m’i prek?
Bëj ta prek të bardhën dorë,
që ndez yjet rreth e qark,
përmbi flokë m’i bën kurorë,
ah, qe ëndërr, ti je larg.
Ti je larg, por po më vjen,
aq magji, plot nur e hije,
dhe në ëndrra më gjen,
ti krijesë dashurie.