POEZIA E SË DIELËS
Tragjedia ime erdhi
kështu natyrshëm,
me kohën që shkonte me përti,
se të gjitha kohët monotone
kështu rrjedhin, ngadalë
e të pacipa për të të sjellë
diçka a dikë ndryshe.
Tragjedia ime erdhi
pikërisht ditën që unë
nuk kisha çfarë të prisja,
as kë të prisja,
as kujt t’i telefonoja,
Të gjitha u vjetëruan
brenda natës!
Sendet e vjetra i falim
apo jo, apo i japim
për bamirësi?!
Tragjedia ime erdhi
natyrshëm,
siç e ndërtova unë,
me largimin e dëshirave,
me kuriozitetin për të prekur
fundin që ishte krejt ndryshe
për vlerat e mia,
po a nuk tërhiqemi
prej njerëzve që janë
ndryshe nga ne?!
Tragjedia ime erdhi
ngadalë,
me kohën që e mbushi e keqja,
me besimin që humbiste çdo ditë,
me filozofinë e më të fortit
dhe pak nga pak trishtimi,
që pushtoi njerëzimin
u bë ngjitës edhe për mua…
poezi nga Gerta Bandilli Becka