Dy të marrë
E shikoja sikur të mos ekzistonte
nuk ia hidhja sytë me kërshëri
netëve nuk e ëndërroja asnjë mbrëmje
ditëve për të s’qaja në vetmi.
S’ndieja mornica nëpër trup kur kalonte
nuk krijoja nëpër mendje fantazi
nuk pyesja se nga vinte e ku shkonte
nuk thurrja për të asnjë poezi.
Tashmë s’e kuptoj ç’kërkon më shumë
ka rreth tridhjetë vjet që nuk më ndahet
më ka tjetërsuar kokë e këmbë
sa nuk di përse në emër të tij falem.
E vras mendjen e kthehem pas ndër kohë
dua të kuptoj si dhe pse lindi kjo histori
duket sikur janë takuar dy të marrë
që nuk dinë se si ranë në dashuri.