Sunday, September 8, 2024
BallinaLajmeU dërgua në Hagë: Isni Kilaj nesër del para gjykatës

U dërgua në Hagë: Isni Kilaj nesër del para gjykatës

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, i arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, u transferua sot në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe nesër në ora 10:00 do të paraqitet për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Paraqitja e parë do të jetë seancë publike, gjatë të cilës Gjykatësi i Vetëm siguron që Isni Kilaj është informuar për arsyet e arrestimit të tij dhe se po respektohen të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores, ndër të cilat e drejta për përfaqësim juridik.

Brenda 48 orësh pas paraqitjes së parë, Gjykatësi do të vendosë në lidhje me mbajtjen e mëtejshme në paraburgim ose lirimin e Isni Kilajt.

Urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga Prokurorja e Specializuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin me mbështetjen e policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Sipas Ligjit, policia në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT