Degëz me qershi mbushur
Gushë e faqe të bardha, borë,
Marr e jap për të t’këputur
Po vij t’kërkoj tënden dorë.
Qershizë e kuqe, e pjekur
Sa ta dua moj ëmbëlsinë,
Do ringjallesha dhe i vdekur
Për të shijuar dashurinë.
Mbi mal, kodër, fushë, breg
Kur zbret rrezja me ngadalë,
Qershiz’ e bukur diellin djeg
Me kaçurrelat tua valë-valë.
Sapo hëna pesëmbëdhjetë
Hedh ndriçimin mbi mantel,
Lozonjare me vrap të lehtë
Si sorkadhe, ti qershizë del.
Kur ta prek t’bukurën gushë
Me aromë dehëse trëndafili,
Buz’ e faqe të ndizen prush
Degë më degë këndon bilbili.
Me shigjetën e syrit t’shkruar
Gjitha dëshirat seç m’i ndez,
Qershizë nga perëndia bekuar
Ujitur me të mëngjesit vesë.