KISHA VDEKUR… NUK E DIJA!?
Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…
Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…
Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…
Tani që s’jam, mos u friksoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!