Tuesday, October 22, 2024
BallinaVitrina e libritTri poezi nga Nikolle Loka 

Tri poezi nga Nikolle Loka 

Kalon lehtë nëpër mendje

Kalon lehtë nëpër mendje,
fllad pranvere.
Lule zojat në livadh
janë të ëmbla për t’i parë,
plot mirësi dhe pa i prekur,
ta mbajnë shpirtin përmbi ajër,
të mbajnë gjallë
dhe duke vdekur.
Kalon lehtë nëpër mendje,
fllad vere.
Në mirësinë që dita fsheh,
s’mund ta shohësh, s’mund ta prekësh!
Fryn erë mbrëmje e t’i rrëmben,
pragje ditësh, pragje netësh.
Kalon lehtë nëpër mendje
fllad vjeshte.
Aromë frutash mbledh me dorë
ndër kopshtije,
po i marr, po ku t’i lë?
Më mirë në sy, apo në zemër!
Syri flet dhe zemra fsheh.
Kalon lehtë nëpër mendje
fllad dimri.
Frullizë bore nëpër flokë,
po më lëshon
ëndrra pas dere…
Nuk bën ftohtë!

Për një varg e për një fjalë

Për një varg e për një fjalë, mallkova veten:
U bëfsha djalë,
pranvera le të vijë,
e dimri mos të kthehet dalë!
Një frymë të fryjë,
murlani le të vijë e të më marrë!
Lutem që veriu të fryjë, akrepat e orës t’i shtyjë,
deri në maj,
flokë të krehë në ajēr,
kaçurrela në ar.
Frulliza bore të më hedhë në sy e mbi ballë,
të çelin trëndafila të rinj,
sa për mall.

Tokë e ëndërrt

Tokë e ëndërrt,
e pashkelur,
e premtuar mot pas moti,
ditë pas dite
kur lind dielli,
del prej të kaltrës
së një reje
del prej britmës
së një zogu,
sikur qielli
pas rrebeshit,
sikur syri
pas një loti,
s’të tret vdekja
që kall dheu,
mbetesh shpirt,
e mbetesh votër.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT