NË ËNDRRA
Në ëndrra shpesh ndodhin mrekullira,
kur nata hesht e nuk dëgjohet asgjë,
të shfaqen papritur babai dhe nëna,
edhe pse kanë vite që nuk jetojnë më.
Të zbritur nga qielli i madh parajsës,
i shikon të dy papritur në derë,
pasi lënë në dhomë një buzëqeshje prej drite ,
largohen sërish sikur te jenë erë…
Të shfaqet në ëndrra ndonjë mike vjetër,
ashtu si dikur, e bukur, e ëmbël,
dhe ti i afrohesh t’i prekësh pak flokët,
se nuk e kupton, se është thjesht një ëndërr.
Papritur mornica të shkojnë nëpër trup,
ashtu si një bredh nga bora i shkundur,
dhe ndjen se kujtimet rindizen sërish,
dhe ndjen që zemra të rreh si e çmendur.
Në ëndrra të vjen edhe fëmijëria,
një mall drithërues nga gjumi të zgjon,
ti rend të takosh vetveten fëmijë,
por është tepër vonë.
Të vjen nëpër ëndrra mësuese parë,
me rrudha në ballë, me thinja prej bore,
në dorë abetaren e mban si një bibël,
në dorë abetaren e mban një shenjtore.