Përse më duken fjalët
si gjethe të pjekura vjeshte,
shumëngjyrëshe, në pritje të një ere,
për t’i terratisur, drej zemrash të vetmuara?!
Fjalët nuk janë fara që mbijnë,
po djep i farërave janë
Janë parashuta të tyre
që mbushin botën anembanë!
Dhe kur shtresojnë dyshekun mbi tokë,
si Nënë Terezë më duken…
Vetëmohim i pashoq,
shtrojë e mbulojë
për gjethësimin e pritshëm
që në djepat e sythave do të vërshojë!
Fjalët janë plehu jetëdhënës
që ne, të mjerët,
duhet ta kuptojmë e ta dashurojmë!
Mjafton një pikë ujë, si lot nga një re
e ato çelin mbi buzët tona të thara
e lulëzojnë për ne!
Se Fjala ishte e para
edhe pse nuk ka fara,
është era që na mbjell nëpër ara!
Lartësohet në Poezi
kur e sjell e mbara!