Opus et orationis- Puno dhe lutu
(Përjetim në tri kontinente: Europë, Azi dhe Afrikë)
Unë dhe ti në dy kontinente,
në të njëjtin paralele kemi rënë,
e në tjetër meridian, në të tjera qiej,
në një tjetër ajër.
Ti sheh nga qielli për ujë,
unë shoh lumin,
ti sheh nga qielli për grurë,
unë shoh miellin e brumin,
o ti bashkqytetar i botës,
i pafaj!
Unë e ti në dy kontinente,
në të njëjtin meridian kemi rënë,
në dy paralele,
ty të rreshk dielli,
mua vetëm më ngroh,
atë qiellin tënd pa shi,
s’arrita asnjëherë ta njoh.
Unë mbjell lule,
vjel frute,
ti ke verë të përjetshme,
unë fle nën hije ftonjësh,
ti ende përsërit atë lutjen e djeshme.
Unë shoh më rrallë nga qielli,
me zotin zemërohem shpesh,
bërtas, nëm, ankohem,
që zëri im t’i shkojë deri në vesh.
Ti hesht në adhurim,
dëgjohen veç kafshët e egra aty pranë,
që vrasin njëra-tjetrën për ushqim,
vrasin e vriten,
pa u lutë për zotin tënd.
Ti i pret më parë mëngjeset,
e ke diell më shumë,
tek unë ka ujë për tokën dhe për njerëzit,
pak lutje e shumë punë.
Lutje
U ul qielli ngadalë, teksa po e zinte gjumi,
hapi një portë e një dritare,
u shfaq një rrugë si të ishte hije gruaje,
në fund dhe hija e një molle mëkatare.
Rrugës po kalonte një njeri i lumtur,
terrin nuk e shihte,
për agun kishte sy.
Në një natë të pa mëkat
si të ishte çasti i fundit,
për dritën e për hijen thurte lutje.
Nga shkon…
Nga shkon prroj e nga shkon lumi,
deti larg,
nga shkon zgjimi, nga shkon gjumi,
natë e gjatë,
nga shkon hija, nga shkon trupi,
nëpër vapë,
ç’është mirësia dhe virtuti,
fytyra e ngratë,
kush e pati e nuk e humbi,
qe me fat.