Monday, May 19, 2025
BallinaVitrina e librit“Eposi i Feniksit” i poetes Angela Kosta, i gjithë fati i një...

“Eposi i Feniksit” i poetes Angela Kosta, i gjithë fati i një epoke në një poezi

Nga: Arben Iliazi

EPOSI I FENIKSIT

Grimca diejsh nën krateret e pashuara
ngadhënjime të parrëfyera në eposin e kohërave
shkruar në gravura furtunash
me dorën e hekurt të sundimit
feniksit gjakatar që globin rrotullon
i etur nën petkun e ferrit
nën rrënoja hirëzohet…
e sërish rilind
rilind botën të sundoj.
Dhe ne heshtim…
unë hesht…
e pafuqishme
t’i përballem mëshirimit
të sfidoj kohërat ku ne mbetëm
me koka të prera, pa sy…
Sot…
akoma vazhdojm të mbesim…
Gjurmë epikash pa lavdi
ngërdheshjen e falimentimit lëmë pas
peshën e kohës mbi supe mbartim
teksa mbllaçisim skëterrën e shpirtit
pa lotët e shekujve…

Poezia e Angela Kostës ka privilegjin e bashkëkohësisë, duke depërtuar me lehtësi dhe me një frymë komunikuese te lexuesi. Ajo mbetet poete e kohës së saj, e përditshmërive tragjike, poete e njeriut dhe fateve njerëzore. Poezia “Eposi i Feniksit”, e sapo publikuar, është konceptuar në atë mënyrë që përfshin frymëzimin, krijimin, filozofinë, mesazhin, kuptimin, duke i zhytur ato në mbretërinë e artit të fjalës, duke i dhënë një origjinalitet që spikat.
“Eposi i Feniksit” të trondit, jo vetëm për nga origjinaliteti, por edhe nga harmonia brenda realitetit jetësor, ku mbarten konfliktet, deformimet, tjetërsimet, metamorfozat, zhgënjimet dhe shpërthimet. A. Kosta krijon imazhe të pafundme dhe të papërsëritshme të kësaj bote që jetojmë e për të cilën mendojmë. Forma e zgjedhur për qasjen ndaj një realiteti të tillë “shkruar në gravura furtunash/ me dorën e hekurt të sundimit”, është shprishja e harmonisë “për të harmonizuar” parregullsinë, duke kënduar këngën “e feniksit gjakatar që globin rrotullon/ i etur nën petkun e ferrit/ nën rrënoja hirëzohet…/ e sërish rilind/ rilind botën të sundoj”.

Ky krijim spontan është një vizion që të rrënqeth. Një këngë që e këndojnë të gjithë pa zë, që del prej gjoksit e mendjes. Poetja fokuson motivet mbi fatin e një epoke, mbi fatin tonë kolektiv.
Forma e zgjedhur për qasjen ndaj një realiteti të tillë është copëzimi i së tërës, duke i dhënë pjesës atributet e së tërës, duke shprishur harmoninë “për të harmonizuar” parregullsinë. Vargjet burojnë nga njohja, nga parregullsia e botës, duke i shërbyer rregullsisë së saj dhe ekuilibrit.
Poezia i ndihmon njerëzit të mësojnë të zbërthejnë botën, duke e parë me tjetër sy, duke rivlerësuar lëndën që e përbën atë, me shtysat e pavetëdijes. E tillë ashtë edhe kjo poezi, që buron nga shpirti dhe shkund shpirtrat. Çrregullimet, moskuptimet, absurdi, dyshimet, abuzimet, mashtrimet, janë ndodhje të realitetit, janë dukuri që mund të arrijnë deri aty sa të neutralizojnë gjithçka tjetër, për të mundësuar pushtetshmërinë e tyre në këtë pafundësi hapësire e kohe, duke i dhënë realitetit profilin e vet të pakëndshëm. “Globi që rrotullohet, i etur nën petkun e ferrit”, nuk është një botë e sajuar fantazie, që qëndron në pamundësinë e komunikimit dhe të kuptimit. Është një botë reale që është në gjendje të rregullojë e të sistemojë gjithçka tjetër që nuk janë domen i saj, dhe të ndihmojnë fuqishëm në qartësimin dhe kuptimin e përbërësve të saj, për t’u ndjerë, shijuar dhe për të ndikuar në përsosjen e marrëdhënieve me realitetin jetësor.
Edhe pse në strukturë dhe konceptim është një poezi postmoderniste, referenca te “Eposi i Feniksit” është jo thjesht objekti real, por përjetimi i reales.
Duket sikur në këtë poezi ëndrra, fantazia, mençuria, marrëzia, dashuria, urrejtja, fytyrimi dhe shpërfytyrimi, përfillja dhe shpërfillja, e shkuara dhe e ardhmja, gëzimi dhe trishtimi, të gjitha bashkë hedhin vallen e jetës, së cilës i prin me finesë e delikatesë dinamizmi i realitetit jetësor.
“Akoma vazhdojm të mbesim…
Gjurmë epikash pa lavdi
ngërdheshjen e falimentimit lëmë pas
peshën e kohës mbi supe mbartim
teksa mbllaçisim skëterrën e shpirtit
pa lotët e shekujve…”.
Këto vargje me mesazhe shungulluese, falë përdorimit me mjeshtëri të përdorimit të potencialit kuptimor të fjalës, kanë një shtrirje aq të gjerë, sa mbulojnë me kuvertën epiko-lirike gjithë kohërat e hapësirat, me ngarkesë të rrallë emocionale, tension dhe temperaturë të një shkarkese të përflaktë.
Si përfundim mund të shpreheshim se poezia ”Eposi i Feniksit” është shprehje e një potenciali shpirtëror të pashtershëm.
Krijimtaria e poetes A. Kosta ka një ngjyrim të spikatur dhe dëshmon gjithnjë e më shumë për seriozitetin dhe profesionalizmin e saj. Nëse poezia e A. Kostës të trazon ndjenjën dhe të vë në lëvizje mendimin, kjo ndodh për arsye se ajo zotëron mjeshtërisht mekanizmin e harmonizimit të shijeve dhe kërkesave shpirtërore, me ato të njerëzve të thjeshtë në të gjitha mjediset e situatat, duke marrë prej tyre frymëzim e duke ua kthyer në art.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT