Një ditë do të plakemi nuk i shpëtojmë dot e rëndësishme është të pyesim: -çfarë kemi qenë dhe çfarë po lemë pas…”
….U përgatitën shumë për atë takim.
Takimi i maturës në pesëdhjetëvjetorin e saj. Një jetë bashkë. Përsëri të dashuruar si në momentin e parë.
” Të dua shpirt, je pasioni dhe zjarri im”- dhe e puthi fort.
Ajo u çlirua nga shtrëngimi i fortë.
Ishin të dy me thinja shtuar, rrudhat dalloheshin qartë në fytyrat e tyre, por ato fjalë mbetën ashtu, goditën si herën e parë.
E mbante mënd të tillë, kur ishte esëll pa vënë gjë në gojë, por edhe kur pas gotës së tretë të verës turbullohej, çudi ato fjalë buronin si për herë të parë.
Ai shtoi me të qeshur:
-Po kur zgjoheshim të dy, ti ashtu me flokë pa krehur që të mbulonin supet po kështu je, joshëse si herën e parë.
Ose kur vije kokën në shtrat pas tërë punëve të lodhshme dhe fuqitë të ishin mbaruar me frymën e fundit përsëri po atë pasion më jepeshe.
Më joshje, më ndizje si herën e parë e çuditshme si jemi ne të dy. Por unë të dua fort përsëri edhe kur më mban inat, se nuk kam kryer të gjitha “detyrat ” e tua e më mbaje mëri kokën mënjanë dhe mundoheshe të tregoheshe indiferente.
Unë përsëri të rrëmbeja në krahet e mi dhe të pëshpërisja: “Shtrigë je, por të dua si i marrë”.
Kaq duhej dhe ti më puthje më me forcë, vije e egërsuar e rrëmbyer si lumi që del nga prita e vënë peë ta ndaluar.
Por ta njoh kokën, që inati yt zgjat edhe me ditë e ditë të tëra, përsëri të dua si i marrë dhe nuk u tjetërsua kjo dashuri nuk u bëmë të huaj, as pas atyre ditëve e filluam përsëri me atë pasion si për herë të parë dhe gjatë e gjatë vazhduam….
Të nesërmen herët u nisën për udhëtimin e tyre të përmallshëm.
Arritën në qytetin ku u rritën. Me mall, me nostalgji.
Shëtitën atë mbrëmje të gjitha rrugët të kapur për dore.
Ku nuk shkuan në ato vënde aq të dashura….
E nesërmja erdhi shpejt. Një e nga një u mblodhën në oborrin e shkollës ata maturantët me thinja. E midis tyre kishte dhe nga ata, që e filluan rrugëtimin bashkë dhe sot erdhën si maturantë, por thinjat ju shtuan edhe më shumë, kur takuan “mikeshat” e tyre të dikurshme me dashurinë mbetur diku në sirtaret e ëndrrave të tyre..
Orët fluturuan si dikur; kush kujtonte një batutë, një tjetër një ngjarje të bukur, dikush kujtoi edhe shokët që rrugëtimin e tyre e vazhdojnë në përjetësi.
Për nder të tyre u ngritën në këmbë dhe një minutë heshtje sa tërë vitet e kaluara larg njëri tjetrit.
Vonë shumë vonë, ata erdhën në dhomën e ngrohtë të hotelit modest të qytetit të tyre.
….Të lodhur por tepër të lumtur mjaftoi një takim që të riktheheshin në ato vite aq të bukura, aq të çiltërta, aq të sinqerta.
E nesërmja i priste përsëri në ritualin e zakonshëm të rrugëtimit të tyre jetësor…..