Digjen yjet nëpër net,
Si ca ëndrra brenda gjirit,
Digjet shpirti i Shën Marisë,
Porsi flaka e qiririt.
Digjet hëna ngjyrë argjendi,
Diku fshehur pas një mali,
Digjet buza e një vajze,
Digjet buza e një djali.
Digjet burri për një grua,
Dhe ca fjalë drejt saj i nis,
Mbi pëllëmbën e një lisi,
Digjet gjethja e hardhisë.
Digjet vjeshta e bekuar,
Dhe vërtit gjethet në erë,
Digjet rrushi nëpër vreshta,
Edhe pret të bëhet verë.
Digjet shpirti i një vajze,
Që nuk vuri dot kurorë.
Digjet zemra për një zemër,
Digjet mali për dëborë.
Digjet malli brenda nesh,
Digjet bari në korie,
Digjet zemra e një nëne,
Për një mijë e një arsye.
Digjen yjet nëpër net,
Digjen ëndrrat brenda gjirit,
Digjet shpirti i Shën Marisë,
Porsi flaka e qiririt.