Tek ti njoha germat si rruaza të arta,
fjalët e fjalitë, më tej frazat e gjata,
tek ti gjeta ushqim me mençuri e vlerë,
e i thëthija të gjitha, si thith bleta nektar.
Brenda botës tënde, harroja trishtimet,
më bëre të fortë, me ca jetë si në filma,
tek heronjtë e tu, shpesh shihja veten time,
lodhur, por në këmbë, në rrugë plotë mundime.
Kur të shfletoja fletët ti prekja ngadalë,
sikur t’ kishin shpirt e mos ti lëndoja,
bashkë si dy dashnor, rrinim netët me radhë,
se s’ më linte ankthi sa të t’ mbaroja.
Pastaj ju vendosja me shoqet ndër rafte,
e çfarë mbanit brenda i stisja në mëndje,
ç’më thatë ju, moj libra e jeta e përditshme,
me prozë, poezi, librat e mia, i stisja.
Shkrova të vërteta mbledhur nga gjithë jeta,
spërkatur me ngjyra, marr nga fantazia,
bashkë me shpirtin tim, t’ ëmbla dhe të hidhëta
me ar i qëndisa tek librat e mia.