NATË
Terri derdhet mbi bjeshkën matanë
E gulçimi heshtjen shprish
Penjtë e merimangës jetën thurrin
Kur hëna harpëron në kupë të qiellit.
E strukur jam ne çerdhen pa dallëndyshe
Kyçur nga frika e vetmisë
Shushurimë terri mbi bjeshkë ndjeva
Kur hëna vezulloi vesën e mëngjesit.
Frymëmarrja notoi mbi harkun vezullues
Ftohtë nuk bënte e shi nuk binte
Buzët bredharake gjarprin kafshuan
E penjtë e merimangës zgjidhën lakun.
Shushurimë matanë bjeshkës ndjeva
Pa lëshuar klithmë mbeta në harkun rrethor
Prita yllin të zbardhë qiellin
Vesën e mëngjesit e flakërimën e diellit.
Sytë
Furtunë panë sytë
Hënë e diell në perëndim
Sfilitje e ngritje në çdo agim
E asnjë lot në tokë s’e lanë
Sytë e mi…
Me mëngë fshiva gjurmën
E zë nuk nxorra
Dritat e neonit e dalldisur përcolla
Në kujtimet e janarit pa borë në përrallë
Matanë qelqit të bardhë
Panë sytë e mi…
Rrugën ku gjarpri më kafshoi
E lot nuk nxorra
Melhem plage vura mbi dashurinë
E fjalë s’thamë se besë patëm marrē
Unë e sytë…
Drerin e plagosur bashkë e pamë
Plagën i lidhëm me gurgullimë kroi
Me ylber pas rrebeshit ninulat i kënduam
Me fluturën pikaloshe çerdhet nusëruam.
Unë e sytë bashkë…
Furtunë e stuhi panë këta sy
Palosën qepallat mbi yllin zjarr
Falën lot e falën zjarr
Me gotë kristali në oqean
Sytë e mi…
Sot
Sot eca pa cak
E rrugën s’e gjeta
Kërkova matanë bjeshke
Mos gjurmën kam lënë
Eca shtegut të rrëpirë
E cakun me gjetë kërkova
Aromë fusharre gjeta
E gjethin e tharrë palova
Kroit matanë sukës i fola
Per hënën e dashuruar në Yllin Polar
Murmurimë bjeshke mora
Ahishtet me vesë mëngjesi më panë
Eca sot me vitet e jetës
Horizontit i kërkova bekim
Miklim nga buza fala
Vetes i dhash guxim
Majë bjeshke thirra djalërinë
E çupat e heshtura kërkova
Lahurinë e bardhë shpalosa
Qiellit ylber i mora
Eca sot majë bjeshke
Buzën i fala kroit
Ofshamë nga gjoksi nxorra
Se gjurma më tradhtoi.