BallinaVitrina e libritNita Bardhi-Ekspozim

Nita Bardhi-Ekspozim

Babi,
faleminderit që erdhe.
U bë kohë pa të pa
e unë
pata shumë nevojë
t’i flas ato që si flas dot
me t’gjallët.
Jo që si flas unë,
por ata s’mi dëgjojnë.
A thua nuk kuptohet
gjuha ime?
Ndërsa ti
ke kohë mjaft tani.
Ke kohë për lot,
bekime,
për imazhet pas sysh,
ndërdijen e shpërndarë copë-copë nëpër pakufijshmërinë e shekujve,
për t’vërtetat e brishta
e gënjeshtrat që më mbesin në dorë.
Po bab,
ti ke kohë për t’gjitha,
ke kohën e pasosur
e unë me ty flas aq lirshëm,
aq sa them sa mirë që je flluskë që m’ke mbyll brenda
zbrazëtisë tënde kumbuese.
Me ty po i flas
dritat dhe terrin tim.
‘S’kam terr unë ‘-thua?!
S’kam ndoshta, s’kam.
Si ta di këtë
kur përceptohet nga
sytë e fshehur pas një dimensioni t’pakufijtë t’dashnisë.
A merret dot për bazë ëndërrimi?
Vegimi edhe mundet,
është pak më i vërtetë.
Ëndrrat jane re
o bab,
re që i zhbën një shi i vetëm.

A e di çfarë dua tani më së shumti,
a e lexon dot dëshirën
përtej meje?
Dua t’zvogëlohen fjalët
t’bëhen ninulla,
e kur hala ma i përhimt po bjen muzgu
po dua ninullat me u bë rrahje zemre.
Kam mall.
Kam pas dasht fort me u rrit dikur.
Por që dua tani me u zvogëlu,
s’do e kisha besu kurrë.
Këtë po ma mëson vdekja.

Po bab
ajo t’i mësoka mësimet e mëdha.
Ma msoj se koha
i ka duart e veta
që duhet t’ia mbash fort,
shtrënguar
sa e ke përkrah.

Bab,
ditën
bëj armëpushim me veten
e natën ia nisi prap
një lufte t’madhe.
Paqe nuk kemi as unë as ajo.
As s’po di ku është heshtja,
as fjala.
Asnjëra s’më duket në vendin
e vet.
Herë grindem me do britma
që si kam lëshu por që kanë desht me dalë,
herë me psherëtima shurdhane.
Nëse sheh dikë si unë
andej,
merre n’andërr me vete.
M’duhet një UNË me m’kuptu
se unë me veten s’po ia dal.

A e mban mend qoshkun tim n’shtëpinë e vjetër?
Natën
lexoja gjithmonë
t’njëjtin libër.
Ende e lexoj.
Ende
s’ka fletë t’bardha,
s’ka shkronja t’zeza.
Është vetëm dikush
pas lëkurave të krejt kohëve
që ia kupton
t’pashkruarat,
që ia shkruan
pakuptimet
n’boshllëkun e hirtë
ngrirë mes turmës.

A i mban mend
fjalët shkruar pas tapetash?
Natën bëja gjithmonë të njëjtën bisedë.
Aso kohe
m’dëgjonin kukullat,
m’kuptonin kukullat.
Tani
m’dëgjojnë qelqet,
m’kupton ti.
O bab
me ty
po i flas
ato që i shkruaj mes rreshtash
n’librin e natës.

Lexomë.
Aman
lexomë tani
që kur t’vij
t’më tregosh se çfarë kam thënë.
T’më tregosh se çfarë kam
qenë.
Une e njoh veten
përmes
shikimit tënd. 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT