HUMBJA
S’ka nevojë emrin të
ta përmend,
Sepse ti dhe në t’mjegulltë e gjen veten,
Lexon, rilexon dhe n’kokën tënde e end:
-Janë ca përjetime që së gjalli s’treten!
Zë, që larg dëgjohesh saherë këto i thua,
Tjetri, jo larg teje, padashje prek në plagë…
Shpirti s’paqëtohet jo se s’piu n’krua
Po se mes zhuritjesh humbi toruan n’vragë…
Kur tepër vonë takuar në të njëjtin pol,-
Zhvillim i llafit t’këputur, tashmë: paradoks;
Si të tremburve t’mirë ju pëshpëritet n’mol:
-Vonë ja hapët grykën fjalës lidhur n’gjoks..
.
PASQYRA
Jo se ti s’e ndjen mallin e pa shuar,
Sytë e tij dhe tutë në mallin mbetur peng;
Kur më e mira e jetës qe duke u gatuar,
Heshtur e padukshëm shkrumb e dogj një rreng.
Spirrë më spirrë e shihni dhe pas kaq dekadash
Pasqyrën në lot-mjegull që asnjëherë s’u tha;
Me duar n’syprinë t’thyer, nën strehë tjera çadrash…
Shpirtvrarë qëkurse rrengu porsi reja i ra.
BJESHKA
Livadhet përplot lule,blerim mbushur mali,-
Vend ku pranverohesh e zemra t’bëhet mal,
Freski, ngrohtësi…,-krejt se ç’do i gjalli,-
Larg zagushisë mbytëse, frymimit si n’moçal…
Si i këputur n’shpirt ndër pika urbane,
Sheh si shuhen lodhjet sapo këtej vie;
Shend e verë ti pështyen rrugë-jetës virane,
Që më shpesh s’të sjell n’këto ngrohtësi, hije.
Kur mbështetesh në lisin, që matet me gurin,
Ashiqare dukesh pak si lis e gur;
E, sa t’bëhet se me gjoks do e shtyesh murin,
Vie koha t’zbresësh ku jeta për pasje fur…
