Shiu i Marrë
Dikur na bridhte qiejve një shi,
Që veç poetët çmendte po t’i lagte.
Dhe ra ky shi pa pritur mbi njerëzi,
Poetët u lajthitën pas një nate
.
Filluan të kopjonin veç një varg,
Të kishin të përbashkët veç një metaforë,
Për shembull: “Jam Homeri, jam bust në park,
Jam Sofokli, Eskil e Pitagorë.
Jam rrugë vetëtimash e rrufè,
Jam dhe kostelacion në qiell,
Jam rrap me rrënjët pleksur nëpër dhè,
Jam udhëtar që kam në sup një diell…
“
Po nga ky shi s’u lag veç një poet,
Se ishte fshehur në një pyll të dendur,
Poetët e lajthitur në qytet
E qeshnin dhe i thoshin: “Je i çmendur!”
Dhe u mërzit poeti në vetmi,
Se talleshin të çmendurit, poetët,
Dhe luste zotin që të binte prapë ky shi,
Që dhe ai të çmendej si të tjerët.
